Mbështetur në përkthimin e Prof. Abduletah Ebu Gudde
Botues: AIITC
Viti: 2012
ISBN:99943-703-8-3
Kurani është një Libër që në kontaktin e parë të huton, të çorienton. Asgjë më shumë si ai nuk të jep përshtypjen e Absolutes. Ai nuk ka një hyrje të njohur, të menjëhershme e të lidhur me ndonjë të dhënë konkrete: me historinë e një populli, si Dhiata e Vjetër, ose me historinë e një njeriu, si Ungjilli në raport me Krishtin. Kush është i mësuar me logjikën euklidiane që njeh drejtëzën si vijën më të shkurtër (dhe të arsyeshme) midis dy pikave, do të mbetet i mahnitur para lëvizjes në formë spiraleje të mendimit kuranor, që gjithnjë synon drejt monoteizmit absolut.

Kurani është një libër hyjnor dhe shpirti fluturon nga të dojë brenda hapësirës së tij: nga misticizmi tek e drejta, nga normat fetare tek ato civile, nga rregullat e përditshmërisë tek kronikat historike të njerëzimit.

Ndryshe nga Bibla hebraike, Kurani nuk kufizohet me një popull të caktuar, përkundrazi, i drejtohet tërë njerëzimit. Por ai ka një lidhje të drejtpërdrejtë e të pandashme me gjuhën arabe, të cilën Zoti e zgjodhi për t’i komunikuar njerëzimit Mesazhin e Tij të fundit. Pas zbritjes së Shpalljes Hyjnore në formën e një gjuhe të saktë, pra arabishtes klasike, përkthimi i saj në gjuhë tjetër bëhet i vështirë. Prandaj është më mirë të flitet për një përkthim interpretues të tij.

Duke qenë se Kurani është një tekst i shenjtë, është e vështirë të mendosh se një gjuhë e ndryshme nga origjinalja mund t’i përcjellë më mënyrë të përsosur kuptimet dhe nënkuptimet e tekstit, pa u lënë shkas dyshimeve, kufizimeve apo keqkuptimeve që mund të paragjykojnë një të kuptuar të thellë dhe një praktike fetare të nivelit të lartë. Ky pohim është në përputhje me qëndrimin e përgjithshëm të fesë islame mbi mundësinë e përkthimit të Kuranit.

Megjithatë, duhet thënë se një përkthim i bërë me kompetencë, me qëllim të mirë dhe me përkushtim nga ana e autorit, përfaqëson një instrument të domosdoshëm për të pasur njohuri të përgjithshme rreth Librit, qoftë nga ana e një lexuesi që niset nga një interes i paanshëm, qoftë nga ana e një besimtari që nuk i ka mundësitë për të bërë një lexim krejtësisht të vetëdijshëm të origjinalit, edhe pse e përdor atë në lutjet e tij të përditshme.

Është pikërisht ky qëllimi i ribotimit të përkthimit të Kuranit nga ana e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. Skrupulli për t’iu përmbajtur fjalë për fjalë tekstit origjinal është në harmoni me përpjekjen për të shprehur me një shqipe të qartë e të saktë kuptimin e tij. Kjo është një premisë e dobishme dhe një garanci e fortë për marrjen e mesazhit dhe depërtimin e tij në mënyrë të saktë në mendjen e lexuesit të rregullt shqipfolës.

Prandaj i ftojmë të gjithë lexuesit e faqes sonë të internetit, që nuk kanë mundësi ta marrin drejtpërdrejt versioni e ri të përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe, ta shkarkojnë atë në formën elektronike që kemi vendosur në këtë faqe.