wrapper

Super User

Super User

Mbyllet me sukses Konferenca Ndërkombëtare “Edukimi joformal islam në gjuhën shqipe”

Podgoricë, 12-13.10.2019

Është përmbyllur me sukses në Podggoricë, Konferenca Ndërkombëtare me temë: “Edukimi joformal islam në gjuhën shqipe”, organizuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, në bashkëpunim me Institutin Ndërkombëtar të Mendimit Islam. Në këtë konferencë ndërkombëtare, me pjesëmarrje të gjerë nga të gjitha trojet shqiptare, studiues, profesorë universitetesh dhe mësues medresesh, për dy ditë me radhë, diskutuan dhe propozuan zgjidhjet e tyre mbi sfidat dhe perspektivat e edukimit joformal me përmbajtje islame në gjuhën shqipe.

Referuesit në kumtesat e prezantuara me cilësi e qartësi, vunë theksin në rëndësinë e përmirësimit të teksteve mësimore të edukimit islam, dhe në nevojën e sigurimit të infrastrukturës së përshtatshme për veprimtarinë akademike e arsimore islame në një shtrirje gjeografike gjithëpërfshirëse, nga Presheva, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria. Gjatë referateve u paraqitën edhe propozime konkrete. Mund të veçojmë idenë e krijimit të shkollave fetare alternative, të ndara në 4 cikle, ku fëmijëve do t'u ofrohen dije rreth Islamit, sipas moshave dhe stadit të zhvillimit. Po kështu, u vlerësua shfrytëzimi i xhamive për realizimin e kurseve të mësim-besimit, si dhe u propozuan mënyrat e pasurimit të programeve të edukatës islame me veprimtari social-kulturore e humanitare, si një mënyrë e mirë për ndërgjegjësimin e brezave të rinj rreth mesazheve universale të fesë islame.

Në seancën përmbyllëse u bë një përmbledhje e rezultateve të kësaj Konference dy ditore. Gjithashtu u arrit në përfundime dhe sugjerime të cilat pritet të bëhen realitet në të ardhmen, gjë që kërkon bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve që kujdesen për veprimtarinë akademike e arsimore islame, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Preshevë. Në fund të konferencës, të gjithë pjesëmarrësit u pajisën me certifikata vlerësimi për kontributin e tyre në edukimin joformal islam në gjuhën shqipe.

Read more

Nis punimet Konferenca Ndërkombëtare: “Edukimi joformal islam në gjuhën shqipe”

Podgoricë, 12-13.10.2019


Ka nisur punimet Konferenca Ndërkombëtare me temë: “Edukimi joformal islam në gjuhën shqipe”, organizuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, në bashkëpunim me Institutin Ndërkombëtar të Mendimit Islam. Qëllimi i saj është konsolidimi i infrastrukturës dhe kurrikulave të nevojshme për arsimimin islam të brezave të rinj. Konferenca mbahet në Podgoricë të Malit të Zi, në datat 12-13 tetor, dhe në të do të referojnë 25, akademikë, profesorë universitetesh e medresesh, apo intelektualë që kanë kontribute të njohura në fushën e arsimit islam.

Konferenca u hap me fjalët përshëndetëse nga Rifat Fejziç, Reis i Bashkësisë Islame të Malit të Zi; Dr. Ardian Muhaj, Drejtor i AIITC dhe Prof. Dr. Ahmet Alibašić, Drejtor i Qendrës për Studime të Avancuara, Sarajevë. “Koordinimi i mësimit islam joformal me mësimet në shkollat publike” ishte tema e referatit kryesor mbajtur nga Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, Drejtor i Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit, Tiranë. Fillimisht, ai bëri një qasje krahasuese për rrugëtimin e mësim-besimit në dy sisteme, gjatë diktaturës dhe në ditët e sotme. Duke i mëshuar interesit në rritje për edukimin me parimet islame të brezit të ri, ai propozoi krijimin e shkollave fetare alternative, të ndara në 4 cikle, ku fëmijëve do t'u ofrohen dije rreth Islamit, sipas moshave dhe stadit të zhvillimit.

Me interes ishte edhe ligjërata e Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed Sytarit, i cili vuri theksin në ndikimin e hytbes dhe vasit, si mediume të edukimit islam në rajonin e Shkodrës. Referuesit shkëmbyen eksperiencat në fushën e arsimit joformal islam në gjuhën shqipe dhe sfidat me të cilat ata përballen çdo ditë gjatë mësimdhënies.

Emra të tjerë të njohur, si Prof. Dr. Naser Ramadani, Dr. Valon Myrta, Hafiz Safet Hoxha, Prof. Dr. Shaban Sulejmani, Doc. Dr. Ziber Lata, Omer Kajoshaj, Mr. Vaxhide Bunjaku, Mr. Muzaqete Kosumi, Prof. As. Dr. Fahrush Rexhepi, Asoc. Prof. Dr. Muhamed Ali etj., ishin pjesë e ditës së parë të Konferencës Ndërkombëtare me punimet e tyre cilësore dhe shumë të thelluara. Ligjëratat dhe diskutimet do të vazhdojnë edhe në datën 13 tetor, ku në fund të konferencës do të dilet me përfundimet dhe sugjerimet përkatëse.

Read more

Sfidat bashkëkohore të thirrjes dhe trajtimi i tyre në këndvështrimin e një edukatori islam

Tiranë, 07.10.2019

Të predikosh Islamin në ditët e sotme duket një ndërmarrje sa sfiduese aq edhe premtuese. Në një aktualitet bashkëkohor ku rizgjimi fetar është çështje e ditës, thirrja drejt besimit i fton njerëzit në konsolidimin e paqes dhe përmirësimin e jetës. Ligjërimi është art më vete dhe ka një ndikim të pakthyeshëm te njerëzit, ndaj lipset nevoja e orientimit të thirrësve drejt një ligjërimi të strukturuar, koherent dhe gjithëpërfshirës.

Duke vënë në zbatim hadithin profetik: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni dhe mos largoni!”, edukatorët islam duhet të kenë parasysh disa rregulla për një predikim sa më efikas. Për t′u ardhur në ndihmë atyre, Departamenti i Mualimëve pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam organizoi një seminar trajnues me temë: “Sfidat bashkëkohore të thirrjes dhe trajtimi i tyre në këndvështrimin e një edukatori islam”. Takimin e çeli përgjegjësi i këtij departamenti, z. Pëllumb Jaupi, i cili vuri theksin në 4 shtyllat me të cilat mbahet fort puna e mualimëve, konkretisht: afrimi i njerëzve drejt besimit, zhvillimi i kurseve, i aktiviteteve social-kulturore si dhe mirëmbajtja e xhamive. Puna me xhematin është përcaktues i suksesit të një edukatori islam.

Në ligjëratën e tij, lektori Edvin Ruka nënvizoi përgatitjen e mualimëve, jo vetëm në aspektin fetar, por edhe në të gjitha fushat e jetës. Kjo pasi predikimi duhet t′i referohet gjendjes së një popullate, problemeve social-ekonomike, mendësisë dhe zakoneve të saj, për të qenë sa më pranë pritshmërive dhe kërkesave të tyre. Mesazhi që përcillet, duhet të jetë i qartë, i kuptueshëm dhe në gjuhën e popullatës së cilës i drejtohet. Gjithashtu, ai solli shembullin e profetëve të ardhur për njerëzimin dhe këshillave që ata transmetuan.

Duke iu referuar profetit Muhamed (a.s.) lektori Ruka theksoi se një edukator islam duhet të flasë ngadalë dhe qartë, në mënyrë që mesazhi që ia përcjell, të kuptohet siç duhet nga dëgjuesit. Duhet të përdorë metodën e ilustrimit të mendimit me vizatime dhe me shembuj konkretë, duke e bërë atë sa më të prekshëm. Për më tepër, imami i xhamisë nevojitet ta edukojë xhematin e tij me një shpirt dhe botëkuptim të tillë, që ata të jenë të gatshëm të pranojnë mendimin ndryshe dhe të respektojnë të tjerët, duke forcuar kështu frymën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit.Gjuha kritike nuk është tipar kryesor në predikimet fetare, sepse lë gjithmonë vend për keqkuptim.

Pas renditjes së disa rregullave të përgjithshme, për ta bërë sa më tërheqëse një ligjëratë, të pranishmit diskutuan dhe shkëmbyen eksperiencat e tyre mbi mënyrat që ata përdorin në xhamitë e tyre dhe për risitë që ata kanë sjellë në këtë aspekt.

Read more

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2