wrapper

 

 

Autorë:Smajl Bala dhe Blendi Alushi
Botues:AIITC
Viti:2011
ISBN:978-9928-126-00-9

Besimi në Zot ka shoqëruar gjithnjë popullin shqiptar në vuajtjet që ka përjetuar ndër shekuj, ku feja islame ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm. Hoxhallarët kanë qenë promotorë të zhvillimeve shpirtërore e shoqërore, duke u shquar për rolin e tyre si imamë në xhami, si prijës atdhetarë për fatet e kombit, madje edhe si komandantë në luftërat për liri të popullit shqiptar përgjatë historisë. Shumë prej tyre kanë rënë dëshmorë për të mbrojtur jetën, nderin dhe tokën e këtij populli. Disa u vlerësuan e u dekoruan për vlerat e tyre patriotike, por shumë të tjerë u internuan apo u pushkatuan nga regjimi komunist, si pasojë e fuqisë së madhe intelektuale e shpirtërore. Ky botim me të dhëna interesante i autorëve Smajl Bala e Blendi Alushi, i vjen në ndihmë lexuesit shqiptar për të mësuar më shumë për jetën dhe veprën e këtyre personaliteteve islame shkodrane, me gjurmë të pashlyeshme në historinë e besimit islam në arealin shqiptar. Në libër përmenden gjithashtu edhe mejtepet, xhamitë dhe medresetë e rrethit të Shkodrës.

 

Disa ndër myftinjtë dhe hoxhallarët më të shquar të rrethit të Shkodrës, që përmenden në këtë botim, janë:

Jusuf Efendi Tabaku (1797-1904)

Rrjedh nga një familje hoxhallarësh, studimet teologjike i mbaroi në Stamboll. Përveç funksionit të myftiut, kryente edhe detyrën e myderrizit në medresenë e Qafës. Por më së shumti shquhej për kontributin e tij patriotik, me aktivizimin e në protestat e zhvilluara gjatë periudhës së Lidhjes së Prizrenit, përkrahu kryengritjen e vitit 1834 dhe kërkonte përdorimin e gjuhës shqipe në medrese e xhami. Në sajë të aftësive të tij, u pajis me medaljen osmane “Mexhiti”, ndërsa pas ardhjes së demokracisë, u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin “Mësues i Popullit”.

Haxhi Vehbi Ahmet Dibra (1867-1937)

Lindi në Dibër të Madhe, në një familje me tradita fetare e patriotike. Mori titullin Hafiz dhe përvetësoi Sheriatin islam. Fillimisht u emërua imam e më pas myfti i Dibrës. Por ishte edhe patriot i zjarrtë në çështjen kombëtare. Në vitin 1909 u zgjodh kryetar i Kongresit të Dibrës, ndërsa në vitin 1912 u emërua nënkryetar i Kuvendit të Vlorës, ku dora e tij dhe e Ismail Qemalit ngritën flamurin në Vlorë, duke shpallur Pavarësisë. Udhëhoqi me devotshmëri kryengritjen e Dibrës kundër pushtuesve serbo-malazezë. Në vitin 1916 ishte nismëtar i krijimit të Gjyqit të Lartë të Sheriatit në Shkodër, ku u zgjodh edhe kryetar i tij. në vitet 1923-1929 ishte kryetar i Komunitetit mysliman të Shqipërisë. Luftoi për përdorimin e gjuhës shqipe dhe në vitin 1916 mundësoi që vula e Gjyqit të Lartë të Sheriatit të shkruhej me germa shqipe. Presidenti i republikës e ka dekoruar me medaljen “Urdhri i Lirisë” i Klasit të parë.

Xhemal Hasan Naipi (1887-1955)

Rrjedh nga një familje shkodrane e njohur për detyrën e kadinjve. Studimet e larta për teologji i përfundoi në Stamboll. Përveçse Kadi dhe më pas myfti i Shkodrës, ishte edhe kryetar i Komisionit të Arsimit në Shkodër dhe drejtor i përgjithshëm i Vakëfeve të Shqipërisë. Tregoi vlera patriotike si delegat në Kongresin e Lushnjës, si deputet në Parlamentin shqiptar, si kryetar i Lëvizjes së Legalitetit etj. Është dekoruar nga Presidenti i Republikës me Urdhrin e Klasit të Parë për veprimtari patriotike e politike, si dhe me medaljen “Pishtar i Demokracisë”.

Salih Efendi Myftia (1891-1978)

Rrjedh nga një familje me traditë fetare. Studimet teologjike i plotësoi në Vlorë, te teologu Haxhi Vehbi Dibra. Punoi si imam, drejtor medreseje dhe kryemyfti i Shkodrës dhe i Gjakovës. Ishte shembull i përkryer i tolerancës ndërfetare, duke krijuar lidhje të ngushta me klerikët katolikë e ortodoksë. Madje ai ishte i pari që për çdo festë fetare e kombëtare arriti të lidhte flamuj festivë dhe drita elektrike nga minarja e xhamisë Fushë-Çelë, deri në kambanoren e kishës Françeskane. Shkarkohet nga Viktor Emanueli III dhe në vitin 1939 internohet në Gjirokastër. Largohet nga Shqipëria për në Itali dhe më pas në SHBA ku edhe ndërroi jetë.

Haxhi Faik Sheh Qazim Hoxha (1930-2011)

Ka qenë teolog dhe prijës i tarikatit Tixhani, gjithashtu profesor në Medresenë e Tiranës. Më pas filloi punë në kooperativën e artizanatit Shkodër. Arrestohet dhe vuan dënimin me burg deri në vitin 1989. Me ndryshimin e sistemit, riaktivizohet me detyra fetare, ku zgjidhet myfti i Shkodrës. Dha kontribut të shquar në riorganizimin e institucioneve fetare dhe ndërtimin e xhamive të reja në Shkodër. Gjithashtu punoi për harmonizimin dhe lidhjen e ngushtë mes tre besimeve fetare. Për kontributin e tij të gjithanshëm është nderuar me titullin “Qytetar Nderi” i Shkodrës.

Last modified on Enjte, 21 Shkurt 2019

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2