Akademia e AIITC "Popuj dhe kultura" vijoi ciklin e saj të leksioneve me takimin me Dekanen e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në UT, Prof. Klodeta Dibra. Akademikë, diplomatë, intelektualë, studentë, nxënës dhe të ftuar të tjerë u mblodhën ditën e premte, dt. 15 shkurt 2013, në sallën e Amfiteatrit të AIITC, për të ndjekur ligjëratën me temë "Gjuhët, pasuri për njohje dhe komunikim mes popujve".
Midis të pranishmëve ishin Ambasadori i Egjiptit në Shqipëri SHTZ Ahmed Abdullah, Konsulli i Austrisë në Shqipëri znj. Sigrid Kodym, përfaqësues nga Ambasada e Turqisë në Shqipëri, Rektori i Akademisë Pedagogjike të Tiranës Prof. Dr. Musa Kraja, akademiku Xhevat Lloshi, anëtarët e Bordit Drejtues të AIITC Prof. Dr. Hasan Çipuri, Alush Saraçi, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu etj.
Aktivitetin e hapi zv. drejtori i AIITC Alban Kodra, i cili përcolli fjalën e rastit të Drejtorit të këtij instituti Dr. Ramiz Zekaj. Përmes kësaj fjale, Drejtori i AIITC vlerësoi dhe falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre në këtë aktivitet, vuri theksin tek rëndësia e gjuhëve të huaja dhe tek roli i tyre i pamohueshëm në çdo aspekt. Sipas tij, ishin pikërisht këta faktorë që e shtynë AIITC të ndërmerrte nismën për të themeluar një qendër profesionale për mësimin e gjuhëve të huaja.
Më tej në fjalën e tij ai u ndal tek mekanizmat dhe teknikat e punës që AIITC ka vënë në dispozicion, për mbarëvajtjen e kurseve të kësaj qendre. Në fund, Dr. Zekaj nënvizoi se synimi i Akademisë së AIITC dhe Qendrës Profesionale për Mësimin e Gjuhëve të Huaja, është që të rinjtë të kenë sa më shumë njohje me gjuhët dhe kulturat e popujve dhe t'i sigurojë vendit përkthyes të përgatitur e cilësorë.
Më pas, referuesja kryesore e këtij takimi, Prof. Dr. Klodeta Dibra, Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja pranë Universitetit të Tiranës, kumtoi temën "Gjuhët, pasuri për njohje dhe komunikim mes popujve". Znj. Dibra e ndau ligjëratën e saj në dy pjesë: në pjesën e parë ajo trajtoi çështjen e globalizimit që po përjeton sot bota dhe ndikimin e tij në nxitjen e mësimit të gjuhëve dhe të kulturave të huaja. Ndërsa në pjesën e dytë të ligjëratës, ajo vuri theksin në rolin e gjuhëve të huaja si dritare komunikimi me botën.
Midis të tjerash ajo bëri një historik të mësimit të gjuhëve të huaja në Shqipëri, duke përmendur përparësinë që i ka dhënë shteti shqiptar gjatë periudhave të caktuara gjuhëve si: italishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, rusishtja e, së fundmi, anglishtja, në varësi të rrethanave dhe kushteve ndërkombëtare, politike, ekonomike etj.
Më pas ajo trajtoi arsyet pse gjuhët e huaja janë një prej çelësave të suksesit për individët e një shoqërie, të cilët janë zotërues të një gjuhe të huaj ose më shumë. Për të nënvizuar rëndësinë që kanë gjuhët si çelës i kulturave të kombeve të ndryshëm në këtë kohë të globalizmit, ajo solli shembuj konkretë nga përvoja e saj si sportiste që kishte udhëtuar në vende të ndryshme dhe më pas si pedagoge e gjuhëve të huaja në Universitetin e Tiranës. Referati i saj u prit me shumë interes nga të pranishmit.
Duke marë si shkas ketë takim AIITC bëri shpërndarjen e çertifikatave për kursantët e gjuhëve të huaja, të cilët sapo kishin përfunduar nivele të ndryshme në tre prej tyre. Kursantëve të gjuhës arabe ua dorëzoi çertifikatat Ambasadori i Egjiptit në Tiranë SH.T.Z. Ahmed Abdullah, kursantëve të gjuhës gjermane Konsullja e Ambasadës së Austrisë në Tiranë znj. Sigrid Kodym, ndërsa çertifikatat e gjuhës angleze i dorëzoi Prof. Dr. Musa Kraja, Rektori i Akademisë Pedagogjike të Tiranës.
Fjalën përmbyllëse të këtij takimi e mbajti Kryetari i Bordit Drejtues të AIITC, Dr.Faruk Borova, i cili u shprehu falënderimet e sinqerta të pranishmëve, që me prezencën e tyre i dhanë gjallëri kësaj ceremonie. Takimi u finalizua me shperndarjen e disa prej botimeve më të fundit të AIITC dhe me një koktejl shtruar enkas për të pranishmit në këtë aktivitet, i cili kaloi nën një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore ku të ftuarit patën mundësinë për të shkëmbyër më tej mendimet dhe eksperiencat e tyre.
Akademia e AIITC do të vijojë në të ardhmen me të tjera takime, dhe me të tjera tema që lidhen me çështje me rëndësi për kulturën shqiptare dhe dialogun mes popujve.