wrapper

Tiranë, 08.10.2018

Përfaqësues të fondacionit “Merhamet” me qendër në Bosnje-Hercegovinë zhvilluan një vizitë institucionale në selinë e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC). Delegacioni përbëhej nga Presidenti i këtij fondacioni, prof .dr. Hajrudin Šahić, dhe një numër drejtuesish të tjerë, si dhe kryetari i degës për Shqipërinë, z. Sami Guzina. Delegacioni u prit nga drejtuesit e AIITC: Dr. Faruk Borova – Kryetar i Bordit Drejtues, dr. Ardian Muhaj – Drejtor Ekzekutiv dhe Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, themelues dhe anëtar i Bordit Drejtues të AIITC.

Pas prezantimeve dhe urimeve të rastit mes palëve, biseda u përqendrua në paraqitjen e veprimtarisë shumëvjeçare të dy institucioneve. Drejtori i AIITC, dr. Ardian Muhaj, përshkroi shkurt rrethanat në të cilat u krijua dhe u rrit AIITC, si domosdoshmëri e kohës, gjithashtu bëri një pasqyrë të aktivitetit kulturor – shkencor, si dhe të plan-projekteve kryesore të AIITC në perspektivë.

Ndërsa drejtuesi i fondacionit “Merhamet”, pasi falënderoi AIITC për pritjen e ngrohtë, vuri theksin në kontributin e jashtëzakonshëm humanitar të këtij institucioni 105-vjeçar, jo vetëm në Bosnjë, por në të gjitha kontinentet. Me degët e veta në të gjitha vendet e Evropës, deri në Australi, ky fondacion tashmë jep kontributin e vet në ndihmë të njerëzve në nevojë edhe në Shqipëri, me hapjen e një zyre në Tiranë.

Nga ana e tij, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj i falënderoi miqtë për vizitën dhe paraqiti disa nga botimet, duke bërë edhe një prezantim të veprimtarisë së Institutit, kryesisht të fushës së botimeve. Gjithashtu ai vuri në dukje vëmendjen që AIITC i ka kushtuar komunitetit boshnjak të fshatrave Borakë e Koxhas, nëpërmjet ngritjes atje të një kompleksi social-kulturor të përbërë nga xhamia, biblioteka, kopshti dhe klinika; si dhe përmes zhvillimit të aktiviteteve me natyrë kulturore e shoqërore të herëpashershme në këtë komunitet.

Biseda u mbyll me premtimin e palëve për të vendosur bashkëpunim në projekte me interes reciprok, në funksion të zhvillimit social dhe intelektual të komuniteteve ku do të zhvillohen këto projekte.

Më pas, miqtë u shoqëruan për një vizitë në ambientet e Institutit, veçanërisht në sallën e Muzeut të AIITC, ku u njohën me disa nga dorëshkrimet e vjetra që disponon ky muze. Në fund të këtij takimi u shkëmbyen dhurata midis dy institucioneve, me urimet për suksese të mëtejshme në veprimtarinë e tyre.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2