Autori: Dr. Ibrahim Gashi
Botues: AIITC
Viti: 2003
Vendi i botimit: Tiranë
Numri i faqeve: 154

Duke qenë se trevat shqiptare u përfshinë për rreth pesë shekuj në Perandorinë Osmane, ngjarjet historike, administrative, politike, ushtarake etj., janë pasqyruar kryesisht sipas kohëmatjes që aplikohej atëherë brenda kufijve të kësaj perandorie,  e cila kishte në përdorim dy kalendarë: kalendarin Hixhri Hënor dhe më vonë, atë Mali Rumi.

Në këtë rast, njohja e këtyre kalendarëve dhe e lidhjes së tyre me kalendarë të tjerë (Julian e Gregorian), bëhet burim njohurish për të përllogaritur saktë inkuadrimin e ngjarjeve dhe të datave që i referohen të kaluarës, duke i kthyer ato në praktikën që përdoret aktualisht. Shfrytëzimi i të dhënave të këtyre botimeve ndihmon në shmangien e çdo gabimi që ndodh zakonisht në shkrimet historike, ku të dhënat kronologjike kanë rëndësi të veçantë. Këtë gjë trajtojnë librat “Kalendari Hixhri Hënor” dhe “Kalendari Mali-Rumi” të autorit Dr. Ibrahim Gashi.
Këto botime, krahas tabelave të kthimit të datave dhe metodave përkatëse për konvertim, përmbajnë edhe historikun e lindjes e të zhvillimit të këtyre kalendarëve, bazimin e tyre matematiko-astronomik, një numër të madh shembujsh konkretë, kthime datash nga literatura osmane dhe ajo shqiptare, të cilat kanë të bëjnë me ngjarje historike të popullit tonë etj.
Në këto libra, studiuesit, por edhe lexuesit e zakonshëm, do të gjejnë të dhëna për kulturën islame, që është bërë pjesë e kulturës shqiptare. Do të njihen me copëza të historisë së kombit tonë, të pasqyruara në literaturën osmane e atë shqiptare dhe do të zgjerojnë horizontin e tyre me njohuri të reja në fushën e kronologjisë historike.