Veshtrim rreth kulturave – Fjala e Drejtorit të AIITC

AIITC u themelua si nevojë për njohjen, publikimin dhe çuarjen përpara të vlerave të civilizimit dhe kulturës islame. Instituti ynë, me dinamikën e tij, ka dhënë kontribute në shumë fusha të kulturës shqiptare dhe botërore, duke përmbushur misionin e tij njerëzor. Nisur nga ky mision, AIITC ka realizuar veprimtari të shumëllojshme, të mirëpritura dhe që kanë ngjallur interesim. Pjesëmarrja në veprimtaritë tona ka qenë në rritje, duke përfshirë në to studiues të shumë fushave, intelektualë dhe nga qarqet universitare.

Të efektshme kanë qenë lidhjet dhe bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave, institutet homologe, universitetet, bibliotekat, masmedian e shoqata kërkimore e kulturore, në trojet shqiptare e më gjerë. Gjithë veprimtaritë tona shkencore, simpoziumet, sesionet, konferencat e seminaret kanë shërbyer si tribuna të prurjeve të informacionit të ri shkencor dhe produkte të penave më të spikatura të letrave shqipe dhe botërore. Botimet tona të rëndësishme si: fjalorët, libra me përmbajtje teologjike, shkencore, letrare, historike, filozofike, revista e buletine kanë përcjellë te lexuesi dije të shumë fushave, të përmasave e niveleve bashkëkohore, si dhe mesazhe morali që më së miri skalitet në zemrat e njerëzve.

Orientuar drejt kulturës shqiptare, janë bërë përpjekje për kontribute e vështrime të reja në vlerat e kësaj kulture dhe të rolit që ajo ka luajtur në hapësirat historike, për krijimin e profilit dhe fizionomisë kombëtare që, nëpërmjet kësaj tradite të trokitet në ndërgjegjen e shqiptarëve. Kultura islame, si sistem vlerash, është pjesë përbërëse e kulturës shqiptare dhe pasuri e formuar historikisht. Në harmoni e në bashkëveprim ndërkulturor, është realizuar formimi shpirtëror i kombit tonë. Kultura islame ka qenë një fill orientues, i epshëm, i cili sipas kohës dhe rrethanave i ka ndihmuar njerëzit të jetojnë në harmoni me njeri-tjetrin.

Kultura dhe civilizimi islam në trojet shqiptare janë produkte të mendjeve dhe forcave shpirtërore të vetë shqiptarëve. Në përpjekje për të çuar përpara këtë civilizim e këtë kulturë, shqiptarët kanë çuar përpara vetveten dhe botën e tyre shpirtërore. Duke synuar vlerat universale, kultura jonë ka mundur të gjejë pikat e përbashkëta me kulturat e tjera, të afërta apo të largëta, të lindjes apo të perëndimit, të cilat mpleksen e ngjizen në territoret shqiptare. Vështrimi i kulturave, jo në përplasje dhe konflikte, por në vlera e misione të përbashkëta, si ura bashkuese midis popujve e si mesazhe mirëkuptimi e komunikimi ndërnjerëzor, është vizioni ynë. Kulturat ndihmojnë popujt të jetojnë në harmoni, ato janë indikatorët e niveleve të zhvillimeve dhe qytetërimeve.

Instituti ynë është një zë më shumë që, së bashku me të tjerë zëra, rezonon në kulturën shqiptare dhe troket në kulturat botërore. Me vështrim drejt së ardhmes e me vizione të reja e bashkëkohore, jemi në kërkim e zbulim vlerash të akumuluara dhe akoma të pazbuluara të kulturave dhe qytetërimeve. AIITC është në rrugëtim të përhershëm e në ngjitje drejt vlerave universale, për ta vënë kulturën sa më mirë në shërbim të popujve.

Dr. Ardian Muhaj

Drejtor i AIITC