Tiranë, 17.07.2019

Akademia e AIITC “Popuj dhe kultura” mbylli me sukses edicionin e saj të gjashtëmbëdhjetë. Përmes këtij cikli takimesh, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam ka si qëllim pasurimin e kulturës shqiptare me këndvështrime të reja dhe me prurje të larmishme nga qytetërimi botëror. I pari takim çeli siparin në vitin 2012, për të vijuar një rrugëtim të gjatë, ku morën pjesë personalitete të shquara të shkencës, kulturës e artit, brenda dhe jashtë Shqipërisë, si shkrimtari Abdulatif Arnauti, Profesori arbëresh Antonio Belluschi, Dr. Semir Osmanagich, Dr. Omar Hasan Kasule, Dr. Mehmet Tutuncu, ambasadori i Republikës së Egjiptit, Mohamed Khalil, Dr. Rafia Obaid Ghubash, Dr. Muhamed Beshari etj.

I ftuar nderi në edicionin e 16 të Akademisë “Popuj dhe kultura”, ishte Dr. Amin Kashmeery, Profesor i Fiziologjisë në Universitetin e Mbretit Saud bin Abdulaziz të Mekës, i cili mbajti një leksion mjaft interesant me temë: “Islami dhe Etika në Biomjekësi”. Pjesëmarrës në këtë seminar ishin intelektualë të shquar, përfaqësues të institucioneve relevante që kanë lidhje me tematikën e trajtuar, studentë e specialistë të mjekësisë etj.

Takimin e hapi kryetari i Bordit drejtues të AIITC, Dr. Faruk Borova, i cili bëri një prezantim të shkurtër të rolit dhe veprimtarisë aktive të Dr. Kashmeery në fushën e Biomjekësisë. Ndërsa në fokus të fjalës së tij, lektori pati zhvillimet që ka pësuar mjekësia ndër shekuj dhe nevojën e zbatimit të Etikës nga punonjësit e shëndetësisë në raport me pacientët, si dhe nga studiuesit gjatë kërkimeve shkencore. Duke sjellë shembuj të keqtrajtimit të të burgosurve, apo pacientëve në spitalet psikiatrike, përdorimit të fëmijëve të sëmurë e të varfër për eksperimente etj. Dr. Kashmeery vuri në dukje shkeljen e udhëzuesve ndërkombëtarë, siç janë Kartat e të drejtave të njeriut apo të pacientit.

E parë në këndvështrimin e Islamit, Etika Biomjekësore bën të mundur zgjedhjen e një rruge të mesme, që të jetë më shumë në favor të moralit të lartë njerëzor. Lektori i ilustroi të dhënat interesante me disa nga ajetet kuranore ku flitet për mëshirën mes njerëzve dhe mënyrën korrekte të sjelljes mes njëri-tjetrit, çka e justifikon edhe qëllimin kryesor të Etikës Biomjekësore. Dr. Kashmeery hodhi idenë e krijimit të një Këshilli Global mbi Etikën Biomjekësore në Islam, që të ketë në përbërje akademikë e studiues muslimanë nga e gjithë bota.

Në seancën e pyetjeve, pas këtij leksioni të veçantë dhe të dobishëm, të pranishmit shfaqën interes për këndvështrimin e Islamit mbi çështje me një ndjeshmëri të lartë publike, si transplantimi i organeve, eutanazia, qelizat staminale, farëzimi artificial etj. Në fund të këtij takimi, AIITC i dorëzoi Dr. Amin Kashmeeryt një certifikatë mirënjohjeje për pjesëmarrjen e tij në Akademinë “Popuj dhe Kultura”. Në 16 edicionet e realizuara deri tani, Akademia e AIITC “Popuj dhe kultura” ka arritur të përcjellë mesazhe të mirëkuptimit ndërnjerëzor, duke shpalosur marrëdhëniet mes kombeve e kulturave botërore.