Gratë dhe nënat janë djepi ku lind jeta. Roli i tyre është i pazëvendësueshëm në formimin e individit, ndaj dhe kujdesi ndaj tyre duhet të jetë më i madh. Për të vlerësuar gratë dhe nënat, në një situatë ku numri i rasteve të dhunës ndaj tyre është në rritje, Qendra social-kulturore Baldushk, me mbështetjen e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, organizoi një aktivitet festiv, nën moton “Dija është dritë”, ku ishte e ftuar mësuesja e nderuar dhe poetja Marjeta Çurumi.
Fjalën e hapjes e mbajti Përgjegjësi i Departamentit të Mualimëve, z. Pëllumb Jaupi, i cili foli mbi aktivitetet social-kulturore që mbështet AIITC, si dhe për kontributin e grave dhe nënave në edukimin e brezit të ri. Më pas e mori fjalën përgjegjësi i QSK Baldushk dhe imami i xhamisë, Mit’hat Kacollja, i cili solli në vëmendje rolin e gruas në Islam dhe kujdesin e profetit Muhamed (a.s.) ndaj grave.
Ndërsa mësuesja Marjeta Çurumi në ligjëratën e saj “Mirënjohja ndaj gruas, respekt për jetën”, u përqendrua në pozicionin e femrës në familje e shoqëri, duke dhënë një mesazh të fortë për mbrojtjen e dinjitetit të tyre. Ajo vuri theksin në rëndësinë e respektimit të të drejtave të grave dhe mbështetjen e tyre.
Aktiviteti vazhdoi me një program festiv ku fëmijët kishin përgatitur këngë e poezi kushtuar nënës. Të gjitha grave pjesëmarrëse iu dhuruan lule në shenjë mirënjohjeje. Në fund, të pranishmit iu bashkuan koktejit të përgatitur me këtë rast.