Sot, një muaj pas marrjes së masave për përballimin e pandemisë, Drejtori dhe Anëtarët e Bordit të AIITC, duke uruar që secili prej jush, çdo qytetar i këtij vendi, të gëzojë shëndet të plotë, gjejnë rastin të shprehin mbështetjen dhe solidaritetin me të gjithë qytetarët, veçanërisht me mjekët, infermierët, punonjësit e tjerë të shëndetësisë, arsimtarët, pedagogët, forcat e rendit dhe të gjithë të angazhuarit drejtpëdrejt në përballimin e kësaj situate.

Secili prej nesh duhet të gjejë forcën, maturinë dhe durimin për ta përballuar me kurajë, vullnet të mirë e besim këtë sprovë.

Edhe në kushtet e vështira dhe të pazakonta, të krijuara si pasojë e pandemisë, drejtuesit, stafi dhe bashkëpuntorët e AIITC, kanë vazhduar angazhimin dhe punën për realizimin e synimeve dhe misionit fisnik, me vullnetin e palëkundur, për të bërë më të mirën në përmbushjen e objektivave institucionale akademike, edhe në këto kushte kritike, me durim dhe me frymëzim shprese.

Përparësia kryesore e secilit prej nesh është shëndeti, prandaj kujdesi në zbatimin e masave të ndërmarra nga specialistët dhe autoritetet duhet të jetë në qendër të vëmendjes.

Me lutjet, shpresën dhe mbështetjen tek Allahu i Madhëruar, mbetemi besimplotë dhe optimistë, se do të realizojmë objektivat e punës sonë dhe se të gjithë së bashku do ta kapërcejmë këtë situatë.

Kryetari  i Bordit Drejtues AIITC, Dr. Faruk Borova