Përgatitja e numrit të ri të revistës shkencore-kulturore “Univers” është drejt fundit, ndaj shumë shpejt, studiuesit dhe dashamirësit e kulturës do të kenë mundësinë të lexojnë në të një mori materialesh shkencore e informacionesh nga fusha me interes të gjerë për lexuesin.

Tashmë, pas një rrugëtimi të gjatë të kësaj reviste, me plot 20 numra, numri 21 vjen me një dizajn të ri, tërheqës dhe në koherencë me zhvillimet e fundit të teknologjisë, por gjithnjë pa humbur thelbin dhe mesazhin universal që ai përcjell. 

Emra të njohur studjuesish, intelektualësh e mendimtarësh i janë bashkuar misionit të kësaj reviste, për të sjellë kontributin e tyre në zhvillimin e shkencës dhe kulturës shqiptare, duke i shërbyer kështu edhe brezit të ri të studiuesve dhe studentëve në rrugëtimin e tyre të gjatë drejt dijes.   

Numri 21 i revistës “Univers” përmban 22 artikuj e punime shkencore me tema të spikatura, kryesisht: studime letrare e gjuhësore, analiza mbi çështje të kulturës dhe qytetërimit islam, portrete të personaliteteve nga vendi e bota, analiza ngjarjesh historike e dokumente, punime pedagogjike etj. Ai shoqërohet me një editorial mbi aktualitetin dhe me rezymetë e të gjithë artikujve në gjuhën angleze.