Me rastin e Ditës së Arafatit, një ditë agjërimi për besimtarët muslimanë në mbarë botën, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam organizoi iftare për agjëruesit e dy xhamive. Ajo është dita e nëntë e muajit Dhulhixhe, një ditë para Kurban Bajramit. Konsiderohet e veçantë, pasi është pjesa kryesore e Haxhit, ku plotësohen lutjet e haxhinjve në sheshin e Arafatit. Agjërimi i kësaj dite është një mundësi e mirë për besimtarët muslimanë, që të kërkojnë falje dhe të fitojnë begatitë e Allahut.

Iftari i shtruar në xhaminë Çetë kishte si qëllim nderimin e kësaj dite dhe vlerësimin e sakrificës së besimtarëve përmes agjërimit. Para çeljes së iftarit, imami i xhamisë Çetë, Altin Shehu, mbajti një ligjëratë të shkurtër ku përmendi vlerat e agjërimit në ditën e Arafatit, që fshin gjynahet e dy viteve. Sipas tij, kjo është dita kur Zoti përsosi fenë dhe plotësoi dhuntitë e tij.  

Një tjetër iftar në nderim të kësaj dite u shtrua edhe në xhaminë Dar Al Nur të Rrogozhinës, ku morën pjesë dhjetëra besimtare muslimane, gra e vajza të zonës. Para çeljes së iftarit, imami i kësaj xhamie, Ymer Sheshi, theksoi se Allahu e ka nderuar këtë ditë me falje dhe begati dhe i ka dhënë vlerë të madhe. Duke sjellë ajetekuranore dhe hadithe profetike, ai renditi disa ndër mirësitë e Ditës së Arafatit, që i paraprin festës së madhe të Kurban Bajramit.  

Vetë haxhilerët nuk e agjërojnë ditën e Arafatit, me qëllim që të kenë forca dhe energji për lutje dhe adhurim.Qëndrimi në Arafat është ndër ritualet më të rëndësishme të Haxhit. Në këtë ditë, Zoti qëndron pranë krijesave të Tij dhe mburret para engjëjve. Është detyrë e haxhilerëve që këtë ditë ta kalojnë me përkujtim të Zotit dhe lutje. Zemra e tyre duhet të jetë e lidhur me Krijuesin dhe larg çdo angazhimi tjetër, që e largon nga adhurimi.