Titulli: “Xhamitë e Shqipërisë, Historia, Arkitektura (shekulli XV-XIX)”

Autor: Aleksandër Meksi

Viti i botimit: 2015

Numri i faqeve: 248

Botues: AIITC

Ky studim është një pasuri për korpusin e studimeve në fushën e ndërtimeve dhe arkitekturës, por veçanërisht për zhvillimin e kulturës islame në Shqipëri. Ai përfshin 36 xhami që përshkruhen me imtësi nga autori, që nga historiku i krijimit të tyre, arkitektura e ndërtimit të minares, sallës së lutjeve, portikut, minberit, mihrabit etj. Të gjitha xhamitë shoqërohen me skica, planimetri të ndërtimit të tyre dhe foto të vjetra ilustruese. Mund të cilësohet si libri i parë që flet për historinë, arkitekturën dhe botëkuptimin estetik të xhamive në Shqipëri. Madje historiani Ferit Duka e ka vlerësuar si një vepër fondamentale me rëndësi të jashtëzakonshme për studiues të disiplinave të ndryshme të historisë. 

Libri “Xhamitë e Shqipërisë, Historia dhe Arkitektura” është një punim shkencor serioz, tregues i zhvillimit të arkitekturës në trojet shqiptare ndër shekuj. Përmes këtij studimi, autori ka arritur të na njohë me kontributin e arkitektëve dhe ndërtuesve shqiptarë. Në të përshkruhen 36 xhami, shumë prej të cilave ruajnë vlera të veçanta arkitekturale shqiptare dhe mbeten si monumente të zhvillimit historik të objekteve të kultit në viset shqiptare, të cilat tërheqin vëmendjen e vendasve dhe të huajve, vizitorë e turistë të profileve të ndryshme, nga të katër anët e botës.

Kreu i parë, “Rrethanat historike (shek. XIV-XIX) dhe arkitektura e xhamive”, jep një tablo historike të vendit në këtë periudhë, shkallëzimin në kohë të vendosjes së pushtimit osman dhe të administratës pushtuese, rezistencën e shqiptarëve në shek. XV, procesin e islamizimit, në fillim të feudalëve vendas dhe pastaj shtrirjen e tij në popullsinë e qyteteve dhe më tej të fshatrave, fillimin e rimëkëmbjes ekonomike dhe dukurinë e ndërtimit të faltoreve të kultit mysliman.

Në kreun e dytë, “Xhamitë me sallë të mbuluar me kupolë”, në rend kronologjik parashtrohen xhamitë e studiuara prej nesh dhe prej studiuesve të tjerë shqiptarë, mjaft nga të cilat u shembën dhunshëm në vitit 1967, por për të cilat ishte bërë, ndërkohë, studimi dhe dokumentimi, ndonëse në mjaft raste vetëm fillestar.Për secilin monument jepet arkitektura, të dhënat historike, datimi, krahasimet me xhami të tjera.

Në kreun e tretë, “Xhamitë me sallë të mbuluar me çati druri”, paraqiten ndërtimet e këtij tipi, mjaft të përhapura në Shqipëri, jo vetëm si ndërtime modeste e të përmasave të vogla, por dhe me vlera arkitekturore. Këtu ato paraqiten në rend kronologjik, të studiuara si ndërtim, vlera, krahasimi me xhami të tjera brenda vendit dhe të arealit ballkanik, si dhe datimi.

Kreu i katërt, “Karakteristika të përgjithshme të arkitekturës së xhamive të Shqipërisë”, është një sprovë mbështetur dhe në klasifikimet e kolegëve tanë, për një vështrim të përbashkët të këtyre ndërtimeve në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në të jepen gjykime për ndërtimin, shtrirjen, nivelin, zhvillimin në kohë të arkitekturës islamike, vendin e saj në ndërtimet bashkëkohore, lidhjet me gjinitë e tjera të arkitekturës, elementë të veçantë të formës dhe zbukurimorja, teknika e ndërtimit dhe vendi i saj në tërësinë e ndërtimeve të Perandorisë.

Ky botim i pajisur dhe me një rezyme në gjuhën angleze, është ripunuar dhe pasuruar me të dhëna të reja, duke shpresuar se të tjerë më pas do të ndërmarrin studime më të plota, në të gjithë territorin e banuar nga shqiptarët në këta shekuj. Në ribotimin e vitit 2018 autori ka thelluar punën e tij kërkimore shkencore, duke e paraqitur panoramën më të plotë. Ai u ka shërbyer një mase të gjerë studiuesish, besimtarëve myslimanë dhe lexuesve të interesuar për xhamitë, evoluimin dhe zhvillimin arkitektural të tyre.