Xhamitë dhe Qendrat social-kulturore, nën kujdesin e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, janë shndërruar në vatra edukimi dhe kulture për komunitetin, sidomos për brezat e rinj. Pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia botërore, në këto qendra u zhvilluan me sukses kurset verore intensive të Edukatës Islame. Qindra fëmijë të moshave shkollore, 6-14 vjeç, zgjeruan njohuritë e tyre në mësimet bazë të Islamit, në lëndët Histori profetike, Kurani Fisnik, Hadith, Fikh etj..

Gjithashtu vazhdojnë kërkesa të shumta për mësimin e gjuhës angleze. Në kursin e nivelit të parë të anglishtes janë regjistruar dhjetëra fëmijë të moshave shkollore. Duke e konsideruar anglishten si pjesë e pandarë e arsimimit të fëmijëve, shumë prindër janë interesuar për regjistrimin e tyre në këto kurse. Kështu, në QSK Baldushk këtë kurs e frekuentojnë 15 fëmijë të moshave nga 10 deri në 15 vjeç.     

Mësuesit e kësaj qendre përdorin programe bashkëkohore dhe metoda të avancuara për përvetësim sa më efektiv të gjuhës së huaj. Në këto kurse i kushtohet rëndësi jo vetëm gramatikës, por edhe komunikimit, pasi fëmijët provojnë aftësitë përmes dialogut në situata të ndryshme, duke përftuar rrjedhshmëri në komunikim.

Ndërkohë mësimi vazhdon në mënyrë intensive edhe në dy klasat e tjera të gjuhës angleze, përkatësisht në nivelin e dytë dhe të tretë, që frekuentohen nga dhjetëra kursantë. Pas përfundimit të tre niveleve të gjuhës angleze, kursantët i nënshtrohen një testimi për provimin e njohurive të përfituara dhe pajisen me certifikatë aftësie. Sigurisht, në këto qendra zbatohen me përpikëri udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë, ku mësimi në këto kurse zhvillohet nën masa të rrepta të higjienës personale dhe duke ruajtur distancën mes kursantëve.