Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, në kuadër të bashkëpunimit me personalitete, studiues dhe intelektualë që kanë dhënë dhe japin kontribut në fushën e shkencës dhe kulturës shqiptare, mirëpriti vizitën e studiuesit z. Xhafer Sadiku, autor i disa librave të rëndësishëm në fushën e studimeve historike. Studiuesi i nderuar u prit nga drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj, dhe nga nëndrejtori Genc Aga. Në bisedën e rastit, drejtori Muhaj bëri një panoramë të veprimtarisë së gjerë shkencore të Institutit, sidomos në realizimin e konferencave kombëtare e ndërkombëtare dhe në fushën e botimeve shkencore e kulturore.

Nga ana e tij z. Xhafer Sadiku, në shenjë vlerësimi për punën dhe kontributin e AIITC, dhuroi disa nga botimet e tij për pasurimin e fondit shkencor të Librotekës së AIITC, mes të cilëve mund të përmendim: Midis perandorive dhe religjioneve, Shqipëria 1878-1928, Mena- Bajraktari i Lurës, Veprimtaria e Toptanëve: Refik Bej Toptani, etj. Në fund të këtij takimi edhe studiuesit Sadiku iu dhuruan disa ndër botimet më të fundit të institutit AIITC, shoqëruar me revistën shkencore-kulturore “Univers”.