Me rastin e Ditëlindjes së Profetit Muhamed (a.s.), Qendra Social-Kulturore Ishëm organizoi një aktivitet me fëmijët e kurseve që zhvillon kjo qendër. Programi përfshinte një ligjëratë të imamit të xhamisë Ishëm, interpretim të ilahive dhe këndim Kurani nga fëmijët. Përkujtimi i ditëlindjes së Profetit të fundit të zbritur për njerëzimin është përkujtim i traditës profetike, e cila transformoi strukturën sociale dhe politike të gjithë shoqërisë njerëzore.
Në ligjëratën e tij, Imami i xhamisë Ishëm, Benus Alushi, u përqendrua mbi disa aspekte nga jeta e Profetit (a.s.), duke i njohur fëmijët me misionin e tij, me mësimet dhe sjelljet, virtytet dhe cilësitë e Profetit Muhamed, si shembulli më i bukur dhe modeli më i përsosur që duhet të ndjekim ne sot, sipasues të kësaj tradite të vyer profetike. Imami Alushi i ftoi fëmijët që këtë ditë të shënuar ta kujtojnë dhe përjetojnë në mënyrën më të mirë të mundshme, me lutje e adhurime.