Një delegacion i kryesuar nga Prof. As. Dr. Fahrush Rexhepi, Dekan i Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, zhvilloi një vizitë pune në ambientet e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, ku u prit nga drejtori, Dr. Ardian Muhaj. Qëllimi i këtij takimi ishte vazhdimi i diskutimeve rreth projektit të unifikimit të terminologjisë fetare islame në gjuhën shqipe. Bashkë me Prof. As. Dr. Fahrush Rexhepin, në këtë vizitë ishin edhe Prof. Dr. Zija Abdullahu dhe Dr. Ajni Sinani. 

Mes të tjerash, Prof. Rexhepi theksoi se grupi i punës në Kosovë e vlerëson realizimin e këtij projekti, si një domosdoshmëri e kohës. Sipas tij, duhet të gjejmë mënyra efikase për promovimin e Islamit tradicional, përmes metodave moderne e bashkëkohore. Mes tyre bën pjesë edhe zgjidhja e kësaj problematike shumëvjeçare të terminologjisë fetare.    

Ndërsa drejtori Muhaj theksoi se në këtë drejtim, kontributi i akademikëve dhe studiuesve të Fakultetit të Studimeve Islame do të jetë i vyer dhe përmes këtij bashkëpunimi, institucionet tona shkencore do të plotësojnë njëra-tjetrën.