Numri 22 i revistës shkencore-kulturore Univers së shpejti do të jetë në duart e lexuesve, studiuesve dhe dashamirësve të kulturës. Në të do të keni mundësinë të lexoni një mori materialesh shkencore e informacionesh nga fusha me interes të gjerë. Emra të njohur studiuesish, intelektualësh e mendimtarësh i janë bashkuar numrit 22 të revistës me artikujt e tyre cilësorë, duke sjellë një kontribut me vlerë në zhvillimin e shkencës dhe kulturës shqiptare.

Ky numër që pritet të dalë së shpejti nga shtypi, përmban 27 artikuj e punime shkencore me tema të spikatura, kryesisht: studime letrare e gjuhësore, analiza mbi çështje të kulturës dhe qytetërimit islam, portrete të personaliteteve nga vendi e bota, analiza ngjarjesh historike e dokumente, punime pedagogjike etj. Ai shoqërohet me një editorial mbi aktualitetin dhe me rezymetë e të gjithë artikujve në gjuhën angleze. Veç të tjerash, revista shkencore-kulturore “Univers” i shërben edhe brezit të ri të studiuesve dhe studentëve në rrugëtimin e tyre të gjatë drejt dijes.