iËshtë ndarë nga jeta Njazi Kazazi, në moshën 72 vjeçare, pedagog dhe kontribues në zhvillimin e arsimit. Bir i një familjeje të njohur shkodrane, Njazi Kazazi, do t’i përkushtohej arsimit, fillimisht mësues në disa fshatra të Pukës, Shkodrës e Malësisë se Madhe, ku punoi me pasion dhe përkushtim në mësimdhënie. Në vijim emërohet specialist në Ish-Kabinetin Pedagogjik të Shkodrës, ku punoi  për shumë vite.

Njazi Kazazi do bëhet kështu figurë e njohur në sektorin arsimor të Shkodrës, duke fituar edhe mirënjohjen e mësuesve, drejtuesve të shkollave, nxënësve e prindërve. Përvoja dhe përkushtimi i sollën mundësinë e mësimdhënies në arsimin e lartë ku emërohet pedagog  në Universitetin “Lugj Gurakuqi” të Shkodrës. Edhe këtu spikati me angazhimin e tij si një profesionist tashmë me përvojë i lëndës së gjuhës shqipe, së cilës i ishte përkushtuar që në shkollën e mesme për ta vijuar në studimet universitare. 

Në këtë universitet dhe në këtë katedër e mbylli zyrtarisht edhe karrierën e tij arsimore me daljen në pension, por në të vërtetë ai nuk iu nda universitetit, kolegëve dhe studentëve. Ndonëse në pension, ai kalonte jo pak kohë në mjediset e universitetit, duke ofruar përvojën e tij për pedagogët dhe studentët. Ai ishte një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të AIITC, duke dhënë një kontribut të vyer në fushën e botimeve dhe në revistën shkencore-kulturore “Univers”, si anëtar i Bordit këshillomor për vite me radhë.

Prof. Dr. Njazi Kazazi do të kujtohet si shembull i njeriut të mirë, besimtarit të ditur dhe si mësues, pedagog dhe intelektual me kontribute të vyera në historinë e arsimit shqiptar.