Edhe këtë vit, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam sjell konkursin e fotografisë “Ramazan 2021”, përmes të cilit do të përzgjidhet fotoja më e bukur e realizuar gjatë Muajit të Ramazanit. Ky projekt synon vlerësimin e të apasionuarve pas fotografisë, që të ndajnë me ne emocionet e përjetuara gjatë këtij Muaji të Begatë.

Në këtë konkurs janë të ftuar të gjithë të interesuarit nga trevat shqiptare, që deri më datën 10 maj të marrin pjesë me fotot të realizuara gjatë momenteve të faljes apo leximit të Kuranit, gjatë momenteve të iftarit apo syfyrit, apo me pamje të xhamive më të bukura të vendit. Një juri profesioniste do të vlerësojë fotot më mbresëlënëse, të fiksuara në aparatin fotografik, që përcjellin ndjesitë dhe emocionet e përjetuara përgjatë Ramazanit. Pas festimit të Fitër Bajramit, do të shpallen edhe fituesit e këtij konkursi. Fotot pjesëmarrëse në konkurs, do të publikohen herë pas here në rrjetet sociale të AIITC, duke respektuar të drejtën e autorësisë.