Duke vlerësuar rëndësinë e përjetimit të Muajit të Shenjtë të Ramazanit mes besimtarëve muslimanë, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, për të dytin vit radhazi organizoi konkursin e fotografisë “Ramazan 2021”. Në këtë konkurs që u mbajt në datat 13 prill-10 maj, ishin të ftuar të gjithë të apasionuarit pas fotografisë, për t’u bërë pjesë e kësaj eksperience. Dhjetëra konkurrentë nga trevat shqiptare, si Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, morën pjesë me fotot e tyre, të realizuara në disa prej xhamive që ata kanë vizituar gjatë këtij Ramazani.

Juria profesioniste, e përbërë nga piktori Buron Kaceli, piktorja dhe rezgjizorja Entela Hoxha, si dhe fotografi Afrim Tahiraj, u mblodhën në ambientet e institutit AIITC, ku shqyrtuan me kujdes dhe vëmendje të gjitha fotot konkurrente. Pas diskutimeve dhe shkëmbimit të mendimeve rreth mesazheve që kanë arritur të përcjellin autorët përmes këtyre fotove, ata shpallën fitues fotografin Denis Vogli për fotografinë e tij me titull “Ndalesë në rrugën e drejtë”. Sipas jurisë, kjo foto vlerësohet fituese me motivacionin: “Për ndjeshmërinë artistike që përcjell momenti sublim i marrëdhënies unike mes njeriut dhe Zotit. Edhe pse e ngritur në kundra dritë, figura e njeriut paraqitet fuqishëm, duke na krijuar përshtypjen e një skulpture guri. Drita që vjen nga jashtë, na premton një lloj qetësie shpirtërore, por edhe misticiteti”.

Sipas piktorit Buron Kaceli, juria u mundua të vlerësonte më së shumti mesazhet e fshehura pas këtyre fotove si dhe risitë që ato sjellin, në një kohë kur fotografitë janë bërë pjesë e pandarë e përditshmërisë sonë. Duke marrë parasysh edhe kushtet që na ofron sot teknologjia, mes dhjetëra prurjeve, u vu re dëshira për të sjellë diçka ndryshe, duke dalë nga korniza e një fotografie klishe. Fituesi i këtij konkursi pajiset me certifikatë, një vlerë monetare dhe me një kolanë të botimeve më cilësore dhe të rralla të AIITC. Ndërkohë, të gjitha fotot pjesëmarrëse do të bëhen pjesë e postimeve të herëpashershme të AIITC, shoqëruar me emrin e secilit konkurrent.