Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam edhe përgjatë 10-ditëshit të fundit të Muajit të Ramazanit ka vazhduar shtrimin e iftareve për besimtarët e zonës dhe për fëmijët e QSK-ve, shpërndarjen e kopjeve të Kuranit të Madhërishëm dhe të pakove me hurma arabe. Ky Muaj i Shenjtw u finalizua me një sërë aktivitetesh festive me rastin e Fitër Bajramit.

Festa e Fitër Bajramit është përjetuar me gëzim nga fëmijët e Qendrave social-kulturore dhe frekuentuesit e xhamive të AIITC në disa zona të vendit. Kjo festë për muslimanët në mbarë botën ishte kurorëzim i agjërimit të Muajit të Ramazanit. Në orët e para të mëgjesit të Fitër Bajramit, dhjetëra besimtarë muslimanë janë mbledhur në xhamitë e AIITC, për t’iu bashkuar faljes së namazit dhe për të pritur këtë festë të shënuar për gjithë muslimanët. Pas faljes së namazit dhe fjalës së rastit të imamëve mbi rëndësinë e Fitër Bajramit, fëmijët e QSK-ve kanë organizuar aktivitete festive me recitime të ajeteve kuranore dhe poezive kushtuar kësaj dite.