Në kuadër të Akademisë AIITC “Popuj dhe Kultura”, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam zhvilloi një takim online me temë “Lumturia në perspektivën islame”. I ftuar në këtë takim ishte Prof. Dr. Mesut Idriz. I lindur në Maqedoninë e Veriut, u diplomua në Institutin Ndërkombëtar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam. Ai dha mësim në shumë institucione të arsimit të lartë nëpër botë. Ka botuar, redaktuar e përkthyer shumë libra dhe artikuj akademikë në lidhje me Ballkanin, me historinë osmane, mbi arsimin dhe qytetërimin islam etj. Aktualisht është Kryetar i Departamentit të Historisë dhe Qytetërimit Islam pranë Universitetit Sharjah të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Akademia “Popuj dhe kultura” u çel nga drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj, i cili vlerësoi figurën e Prof. Idriz për kontributet e tij të shumta në arsimin dhe qytetërimin islam, duke e konsideruar temën në fjalë tejet aktuale për situatën që po kalon sot e gjithë bota. 

Ndërsa Prof. Dr. Mesut Idriz e nisi fjalën e tij, duke theksuar se ende sot askush nuk ka arritur të japë një përkufizim të plotë të lumturisë. Sipas tij, thelbi i këtij termi e ka burimin te Kurani. Interpretimi i lumturisë duhet bërë sipas kuptimeve të Kuranit, ku interesant është fakti se koncepti i lumturisë nuk shpjegohet drejtpërdrejt, por në kuptim metaforik, përmes të kundërtave. Dëmet që sjellin veset dhe fenomenet negative e largojnë njeriun nga lumturia. Ai doli në përfundimin se duhet t’i referohemi Kuanit për të kuptuar lumturinë e vërtetë; se elementet e mërzisë, vajtimit dhe tragjedisë nuk janë pjesë e Islamit, por kanë ardhur nga kulturat e tjera.

Akademia AIITC “Popuj dhe kultura” në formatin online u ndoq me interes nga studiues, teologë, studentë e bashkëpunëtorë të AIITC, të cilët drejtuan disa pyetje për temën e trajtuar nga Prof. Dr. Mesut Iriz.