Media kontakt realizoi një reportazh të zgjeruar mbi kompleksin Malbardhë të ndërtuar nën kujdesin e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. Historia e ngritjes së xhamisë në këtë fshat lidhet me dhurimin e truallit nga një prej banorëve të zonës. Me kontributin e donatores nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Nura bin Hamad Al-Shamisi, AIITC mori përsipër ndërtimin dhe përkujdesjen ndaj kësaj xhamie dhe qendrës social-kulturore, që hapën dyert për banorët e zonës në vitin 2015. Po këtu u ndërtua edhe një kopsht për fëmijët e zonës.

Përmes pamjeve filmike dhe intervistave me drejtoreshën e shkollës, nxënësit, imamin e xhamisë dhe dhuruesin e truallit, në reportazh tregohet mishërimi i një rrugëtimi të frytshëm mes arsimit dhe besimit, ku ambientet e kopshtit shërbyen për zhvillimin e orevë mësimore të shkollës 9-vjeçare Malbardhë që u shemb nga tërmeti i nëntorit 2019. Ndërsa Xhamia Malbardhë ka ofruar mjaft lehtësira për praktikimin e besimit të banorëve të zonës dhe fshatrave përreth.