Pas një rrugëtimi të gjatë të revistës shkencore-kulturore “Univers”, me  22 numra të botuar, vazhdojnë prurjet e artikujve për përgatitjen e numrit 23 të saj. Shumë studiues e profesorë kanë shprehur interesin për të qenë pjesë e numrit të radhës, duke sjellë punime shkencore sipas fushave të tyre të hulumtimit. Por interes kanë treguar edhe studiuesit e rinj që kanë zënë gjithnjë  një vend të veçantë në faqet e kësaj reviste, duke u dhënë mundësinë për promovimin dhe shpalosjen e aftësive të tyre në punime shkencore.

Prej më shumë se 20 vitesh, revista shkencore-kulturore “Univers” vazhdon të japë kontributin e saj për të pasuruar arealin e shkencës dhe kulturës shqiptare, me prurje akademike nga autorë e shkencëtarë të mirënjohur shqiptarë e botërorë. Artikujt e përzgjedhur sipas rubrikave të kësaj reviste janë kryesisht studime letrare e gjuhësore, analiza mbi çështje të kulturës dhe qytetërimit islam, portrete të personaliteteve nga vendi e bota, analiza ngjarjesh historike e dokumente, punime pedagogjike etj.

Redaksia e revistës “Univers” fton gjithë të interesuarit të paraqesin punimet e tyre shkencore për një vlerësim të mirëfilltë nga emra të njohur studiuesish e profesorësh, duke synuar ruajtjen e karakterit akademik të kësaj reviste, ku artikujt e botuar në 22 numrat paraardhës kanë qenë të një niveli të lartë profesional e shkencor. Artikujt tuaj  mund t’i dërgoni në adresën e emailit: contact@aiitc.net.