Dhjetëra botime me vlerë i shtohen fondit të pasur të Librotekës së Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. Teologu Nexhat Ibrahimi, autor i 40 veprave dhe përkthyes i mbi 80 veprave për Islamin, dhuroi nga biblioteka e tij personale disa botime interesante dhe libra xhepi nga autorë të ndryshëm. Mes titujve, mund të përmendim: “Islami në Ballkan para shek. XV”; “Ndikime orientale në veprën letrare të Naim Frashërit”, “Udhëzues shqiptar në botën arabe”; “Hutbe dhe vaze të zgjedhura II”; “Jeta familjare islame” etj.
Një tjetër kontribut i vyer për pasurimin e kësaj Libroteke është edhe dhurimi i disa prej botimeve në shqip dhe boshnjakisht nga Drejtori i Shoqatës “Horizonti” në Podgoricë, Mr. Omer Kajoshaj, dhe kryeimami i Ulqinit, Mr. Ali Bardhi, të cilët dhuruan vepra si: “Në agim të ditës së re”; “Varrezat në Ulqin – Zona e brendshme e qytetit dhe rrethina e afërt”; “The migrations of bosniaks to Turkey from 1945 to 1974 – The case of Sandžak”; “Gazeli Ahmeda Hatema Bjelopoljaka na arapskom jeziku”; “Radost Hronika” etj.
Pjesë e kësaj nisme ishte edhe orientalisti, Mr. Ermal Bega, me dhurimin e tri botimeve në gjuhën boshnjake, të cilët përbëjnë interes për studiuesit shqiptarë. Po kështu edhe vepra studimore e Artan Mehmetit, me titull “Gjeografia dhe Kurani”.
Libroteka AIITC mbetet e hapur për të gjithë dashamirësit e leximit, por edhe për studiuesit e studentët që mund të shfrytëzojnë literaturën e pasur që ajo ofron, për thellimin e studimeve të tyre dhe për punimet e diplomave.