Tiranë, 05.02.2019

Kontinenti europian numëron sot një popullatë muslimane prej rreth 50 milionë banorësh, të përkatësive të ndryshme etnike. Ata janë integruar më së miri dhe japin kontributin e tyre në shumë fusha. Kontakti i vazhdueshëm me banorët autoktonë të Europës ka sjellë rritjen e interesit të këtyre të fundit për mësimin e gjuhës arabe dhe përqafimin e fesë islame. Edhe në Shqipëri ushtrimi i besimit islam po shoqërohet me mësimin e arabishtes, si një prej kushteve për ta lexuar Kuranin në gjuhën origjinale.

Qendrat social-kulturore, nën kujdesin e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, ofrojnë prej vitesh kurse të gjuhës arabe për fëmijët e moshave shkollore. Aktualisht këto kurse vazhdojnë në qendrat e Gërmenjit dhe Çetës së rrethit të Kavajës, në QSK “Daru Nur” të Rrogozhinës dhe në QSK Ishëm të Durrësit. Në këto kurse fëmijët mësojnë alfabetin arab, gramatikën dhe fjalorin e kësaj gjuhe, sipas programeve mësimore të botimeve të AIITC.

Dhjetëra fëmijë ndjekin këto kurse ku mësues janë vetë përgjegjësit e Qendrave social-kulturore përkatëse. Përmes mësimit të arabishtes, ata jo vetëm plotësojnë një detyrim ndaj besimit islam, por edhe shtojnë dijet përmes njohjes së disa gjuhëve të huaja, që mund t′u shërbejnë në të ardhmen, përgjatë shkollimit e mandej punësimit të tyre. Madje ka edhe prej atyre që pjesëmarrja në këto kurse i shtyn të ndjekin studimet e mesme nëpër medrese e studimet e larta në vendet arabe.
Të tilla kurse zhvillohen edhe pranë xhamive të ngritura nga AITTC në të gjithë vendin, ku imamët ofrojnë dijet fillestare për mësimin e gjuhës arabe. Qëllimi i AIITC është mbështetja e komunitetit me programe sociale e kulturore si dhe investimi për formimin e një brezi të ri më pranë tregut të punës.