Rreth 100 fëmijë të moshave shkollore vazhdojnë kurset e gjuhëve të huaja pranë Qendrave social-kulturore, nën kujdesin e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. Duke pasur si qëllim investimin afatgjatë në edukimin e brezit të ri, Instituti AIITC ka bërë të mundur që pranë këtyre qendrave të ofrohen një sërë shërbimesh për komunitetin.
Pranë QSK Baldushk në kursin e anglishtes numërohen 45 fëmijë, në QSK Ishëm rreth 20 fëmijë dhe në Rrogozhinë mbi 15 fëmijë. Po kështu është drejt përfundimit kursi i gjuhës italiane në QSK Gërmenj. Metodat e përdorura i nënshtrohen programeve bashkëkohore të mësimdhënies, me mësues profesionistë të cilët i kushtojnë rëndësi të veçantë interaktivitetit mes kursantëve dhe gërshetimit të teorisë me praktikën. Kjo bën të mundur që fëmijët ta përvetësojnë më lehtë gjuhën e huaj.
Një tjetër kontribut është ai i formimit profesional të grave, duke i konsideruar ato si pjesë e pandarë e shoqërisë. Në fshatin Malbardhë ndjekin kursin e rrobaqepësisë dy grupe me nga 10 gra e vajza të cilat kanë shprehur interesin e tyre për t’u përmirësuar në këtë zanat. Edhe në QSK Çetë janë regjistruar në kursin e rrobaqepësisë 10 gra e vajza, gjë që do t’u shërbejë në të ardhmen për familjet e tyre, madje duke u bërë edhe burim të ardhurash.
Këto Qendra social-kulturore do të vazhdojnë punën me intensitet, duke synuar zgjerimin e mëtejshëm të këtyre kurseve si dhe organizimin e aktiviteteve argëtuese, veprimtarive kulturore apo ekskursioneve për fëmijët, ku ata mund të njihen edhe me historinë, kulturën dhe traditat e popullit shqiptar.