Autor: AIITC
Botues: AIITC
Viti: 2000
Vendi i botimit: Tiranë
Numri i faqeve: 268

Haki Sharofi, atdhetari idealist nga Dibra, është një ndër figurat e shquara të botës intelektuale shqiptare, me një përgatitje të gjithanshme shkencore e pedagogjike. Që në rini u bë pjesë aktive në veprimtaritë politike e shoqërore të kohës për krijimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Ky libër është një përmbledhje me kumtesa, shkrime origjinale dhe përkthime të Haki Sharofit, të përzgjedhura me mjaft kujdes nga Prof. Dr. Ramiz Zekaj dhe Prof. Dr. Shefik Osmani.

Në fushën e arsimit është një nga figurat me kontributin më të madh për emancipimin e popullit shqiptar. 37 vjet të jetës së tij ia kushtoi arsimit shqiptar, profesion që e nisi që në moshën 15-vjeçare, kur hapi një kurs për mësim-këndimin e shqipes me disa të rinj dibranë. Në vitin 1913 u emërua mësues në Stamboll, por dashuria për vendlindjen e ktheu sërish dhe në vitin 1914 hapi në Peshkopi të parën shkollë zyrtare shqipe me 16 nxënës. Profesionin e arsimtarit e zhvilloi në kushte mjaft të vështira dhe nën trysninë e qarqeve që kërkonin eliminimin e shkollave shqipe. Puna e tij u përcoll me mjaft lëvdata nga intelektualët shqiptarë. Në vitin 1993, pas vdekjes, iu akordua titulli “Mësues i Popullit”.

Në fushën e studimeve historike dhe letrare me alfabet turko-arab. Është autor i veprës “Historia e Dibrës” dhe i monografive mbi jetën e figurave më në zë të historisë shqiptare, si Vehbi Dibra, Elez Isufi etj. I qëndroi besnik parimit për trajtimin në mënyrë të paanshme dhe me objektivitet shkencor të ngjarjeve historike të kohës. Përfundimet e tij Hakiu i argumentonte gjithmonë mbi dokumente dhe mbi një logjikë të paanshme.

Në fushën e orientalistikës dha një kontribut të jashtëzakonshëm. Përktheu nga frëngjishtja dhe osmanishtja shumë dokumente që ndodheshin në arkivat e Institutit të Historisë, Akademisë së Shkencave dhe Arkivit Qendror të Shtetit.

Në fushën e gazetarisë Haki Sharofi kishte horizont mjaft të gjerë dhe ishte i mendimit se detyra e gazetarit kërkon shumë sakrifica, pasi ai lufton në një fushë shumë të rrezikshme, me injorancën, me idetë e gabuara, me veset e shoqërisë, duhet t′i gjykojë ngjarjet ashtu siç janë, me vërtetësi e drejtësi. Shkrimet e tij kritike ai i botoi në disa prej gazetave periodike të kohës.

Në fushën e edukimit moral islam dha një ndihmesë të vyer, nëpërmjet shkrimeve, trajtesave dhe komenteve të sureve të Kuranit, që i botoi në organet periodike si “Zani i Naltë” dhe “Kultura Islame”. Punoi për një kohë të gjatë si mësues dhe drejtor i Medresesë së Tiranës, duke e radhitur në një ndër shkollat më serioze në vend, për nga niveli shkencor-pedagogjik, por edhe për nga shkalla e lartë e përgatitjes së nxënësve me kulturë të përgjithshme dhe teologjike. Ai ishte një teolog i emancipuar, që luftonte fanatizmin dhe paragjykimet, kishte një vizion modern për fenë, çka e pasqyroi edhe në veprat e tij, duke dhënë kështu një ndihmesë për lulëzimin e mëtejshëm të harmonisë ndërfetare në Shqipëri. Për shumë kohë ishte drejtor i revistës “Zani i Naltë”, të cilës i dha një frymë bashkëkohore dhe ku pena të shquara të mendimit, të letrave dhe kulturës shqiptare shprehën hapur idetë mbi probleme të larmishme teologjike, shkencore etj.

Në fushën e lirikës Hakiu provoi disa herë të thurte edhe vargje. Vjershat e tij janë të ndjeshme, ku bien në sy hovet e zemrës dhe shqetësimet e tij për problemet e atdheut, për hallet e popullit, por edhe për mangësinë në botën shpirtërore e morale të besimtarëve.