Kurset verore të Edukatës Islame që zhvillohen në Qendrat social-kulturore të ngritura nga AIITC, vijojnë aktivitetin e tyre intensiv. Ato frekuentohen nga dhjetëra fëmijë të moshës shkollore. Përveç ofrimit të dijeve në fushën e besimit islam, këto kurse zhvillojnë edhe veprimtari të ndryshme argëtuese për fëmijët.
Aktiviteti i radhës u zhvillua nën moton “Një ditë ndryshe” dhe nisi me disa lojëra sportive në natyrë, duke pasur parasysh se aktiviteti fizik është një faktor shumë i rëndësishëm në mirërritjen dhe shëndetin e fëmijëve. Më pas fëmijët të kryesuar nga mësuesit e tyre vizituan xhaminë Momël të Kavajës, ku u njohën me historikun dhe ambientet e kësaj xhamie.
Konkursi me temë: “Në gjurmët e dijes” ishte pjesë e kësaj dite të veçantë, ku fëmijët provuan njohuritë e marra në lëndët e zhvilluara gjatë kurseve të Edukatës Islame, si Kuran, Hadith, Histori Islame, Fikh etj. Për kursantët më të përgatitur u shpërndanë certifikata në përfundim të konkursit. Përgjegjësi i Departamentit të Edukimit, z. Pëllumb Jaupi, mbajti një ligjëratë të shkurtër me temë “Rrëfime për Kurban Bajramin”, për ta njohur edhe më mirë qëllimin dhe rëndësinë e kësaj feste. Në përfundim të kësaj dite të mbushur plot aktivitete argëtuese, fëmijët iu bashkuan drekës së organizuar në natyrë me ushqime të përgatitura posaçërisht për ta.