Perandoria Osmane u themelua në fund të shekullit XIII, në veriperëndim të Azisë së Vogël, dhe arriti kulmin e saj gjatë shekujve XVI dhe XVII, duke u shtrirë në pjesën më të madhe të Evropës Juglindore dhe Qendrore, Azisë Perëndimore, Kaukazit dhe Afrikës së Veriut. Në gjashtë shekuj luajti një rol të rëndësishëm në politikën botërore, duke e konsideruar veten Shtet të Lartësuar. Edhe pas rënies së kësaj perandorie, të gjitha shtetet nën sundimin osman vazhduan ta konsideronin veten turq.
Historia e Perandorisë Osmane filloi të shkruhej që në shekullin XV, madje teksti më i vjetër ekzistues në historinë turke daton rreth vitit 1412, nga poeti Ahmet.
Gjatë sundimit të Mehmetit II, u formua një historiografi zyrtare, e cila u zhvillua më tej gjatë kohës së Sulejmanit I. Ndërsa shekulli XX shënon një zhvillim tjetër, disa historianë të huaj, si Bernard Lewis, Standford Shaw apo Robert Matran kryen studime shumë serioze dhe objektive mbi historinë e shtetit osman.
Kjo perandori njihej për organizimin e mirë politik, ushtarak dhe administrativ. Luajti një rol aktiv në fushën diplomatike dhe u bë një faktor kryesor në ekuilibrin global të fuqive botërore. Vëmendje e veçantë gjatë kësaj periudhe iu kushtua edhe misionit të shenjtë fetar dhe përpjekjes për të vendosur të drejtën zakonore mbi bazën e Sheriatit Islam.
Shteti osman kishte një koncept shumë të avancuar të familjes, ku poligamia nuk preferohej aspak. Subjektet e perandorisë ishin të mendimit se burri në shtëpi është si shpirti në trupin e njeriut. Meqë trupi ka vetëm një shpirt, burri duhet të ketë vetëm një familje, madje të jetë përgjegjës për mirëqenien dhe lumturinë familjare.
Perandoria Osmane shkëlqeu gjithashtu në fushat e artit, letërsisë, edukimit dhe shkencës. Një numër i madh dijetarësh, mësuesish me njohuri të thella enciklopedike, u bënë të njohur gjatë kësaj periudhe. Institutet e arsimit të lartë mësonin disa lloje shkencash, ndërsa periudha mes viteve 1512-1603 mund të konsiderohet epoka e artë e letërsisë turke, me poetët Bakiu, Zatiu, Fuzuli, Hajali Bej etj.
Osmanishtja ose turqishtja e vjetër shkruhej me alfabetin arab. Në fazat e para përkonte me gjuhën e thjeshtë turke, por me kalimin e kohës u bë një gjuhë artificiale dhe e përzier, për shkak të ndërveprimit të fjalorit persian dhe arab me strukturat gramatikore turke.
Këto fakte interesante janë marrë nga botimi dyvëllimësh: “Historia e Shtetit, Shoqërisë dhe Qytetërimit Osman”, hartuar dhe përpiluar nga Prof. Dr. Ekmeleddin Ihsanoglu. Duke qenë një punim shumë voluminoz, u realizua falë përkushtimit të një grupi autorësh, si Prof. Dr. Feridun Emecen, Prof. Dr. Kemal Beydilli, Prof. Dr. Mehmet Ipsirli, Prof. Dr. Abdulkadir Ozkan etj.
Artikujt në këtë punim i ofrojnë lexuesit një pasqyrë objektive të historisë së periudhës osmane, të ndërtuar mbi dokumente arkivore dhe kronika osmane, si dhe studime të kohëve të fundit mbi këtë temë. Si rezultat i kërkesave të shumta nga lexues nga e gjithë bota, “Historia e Shtetit, Shoqërisë dhe Qytetërimit Islam” është botuar në disa gjuhë, më së fundi në shqip nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam.
Vëllimi i parë trajton organizimin politik, historik, administrativ, ushtarak, sistemin ligjor, ekonominë dhe strukturën shoqërore. Vëllimi i dytë trajton jetën fetare, gjuhën, letërsinë, historinë e artit, jetën intelektuale, edukimin, shkencën etj.
Ky punim është një manual serioz për studiuesit dhe një burim i pazëvendësueshëm të dhënash për lexuesit. Asnjë punim tjetër me këtë përmasë dhe natyrë nuk është botuar në Turqi deri më sot.