Autor: Zahra Al Zeera

Nr. i faqeve: 252

ISBN: 978-9928-126-27-6

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve të Avancuara (CNS) dhe me mbështetjen e Institutit Ndërkombëtar të Mendimit Islam (IIIT), i sjell lexuesit shqiptar një tjetër libër studimor, pjesë e një kolone mbi zhvillimet bashkëkohore shkencore të kulturës islame. Bëhet fjalë për librin me titull “Integriteti dhe Shenjtëria në Edukim, një Perspektivë Islame”, i Zahra Al Zeera-s. Ky libër është një kontribut tjetër në punën jetike të “islamizimit të njohurisë”, i cili vazhdon traditën e rigjallërimit të një perspektive autentike të botëkuptimit të bazuar në pohimin e Njësisë së Zotit. Duke kërkuar unitet, harmoni dhe balancë, perspektiva islame nuk i miraton mënyrat analitike dhe sintetike të të menduarit si stile kontradiktore, por si kapacitete plotësuese.

Sipas autores, sfida për edukatorët myslimanë është të ndjekin parimet dhe metodat e gjera edukative të nxjerra nga paradigma islame. Ideja për këtë libër lindi në vitin 1989, kur autorja po përgatiste tezën e saj të doktoraturës. Ky libër flet për metodat e përvetësimit të njohurisë dhe transformimin nga mësimdhënia në të mësuar. Universi, uniteti, harmonia dhe ekuilibri janë koncepte të rëndësishme në zhvillimin e programeve islame dhe sistemeve edukative që ndihmojnë të zhvillohet mirëkuptimi, toleranca dhe integriteti.

Kapitulli i parë trajton përvojat personale dhe udhëtimin intelektual e shpirtëror të vetë autores. Kapitulli i dytë paraqet shpirtërorën nga perspektiva e një gruaje. Prodhimi i njohurisë islame është një çështje e rëndësishme në këtë libër. Reflektimi mbi përvojën personale i ofron studiuesve një rrugë të menjëhershme, reale dhe origjinale të njohjes, e cila prej kohësh është neglizhuar dhe nënvlerësuar nga pozitivistët. Autorja thotë: “Në realizimin e këtij libri, kuptova konfliktin mes anëve intelektuale dhe shpirtërore të qenies sime dhe perceptova konfliktin mes Lindjes dhe Perëndimit brenda meje dhe shoqërisë sime.”

Pavarësisht profesionit që secili zotëron në shkencë, teknologji, psikologji apo astronomi, kur fillojmë të analizojmë teoritë në ato fusha nga një perspektivë islame, shpirtërorja dhe e shenjta depërtojnë në mënyrë natyrale dhe të thellë. Qëllimi i librit është të inkurajojë myslimanët të reflektojnë mbi përvojat e tyre personale, të gjejnë fillin e artë në jetën e tyre, ta njohin dhe ta shfrytëzojnë atë në jetën e tyre personale dhe profesionale. Pranimi i së shenjtës brenda secilit, duke e bërë atë pjesë të jetës së përditshme.