Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam organizoi të enjten, më 24 dhjetor 2020, takimin online për prezantimin e serisë së botuar të Mendimit Islam. Në takim morën pjesë studiues, përkthyes, redaktorë, teologë dhe studentë të interesuar. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte një përfaqësim i denjë i 13 botimeve, si një nga projektet më dinjitoze të realizuara nga AIITC, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve të Avancuara dhe me mbështetjen e Institutit Ndërkombëtar të Mendimit Islam. Botimi i këtyre librave në gjuhën shqipe është një nismë e pritur prej kohësh për promovimin e qytetërimit islam ndër shqiptarët dhe njohjen e rolit të tij në historinë botërore.
Në fjalën e tij përshëndetëse, themeluesi dhe anëtari i Bordit të Drejtorëve të AIITC-së, Prof. Ass. Dr. Ramiz Zekaj, vlerësoi punën e bërë nga tre institucionet për botimin e këtyre librave, por solli në vëmendje edhe shumë botime serioze të realizuara nga AIITC përgjatë viteve. Ndërsa Drejtori i AIITC-së, Dr. Ardian Muhaj, njohu pjesëmarrësit me ecurinë e këtij projekti, me bashkëpunimin aktual mes AIITC-së dhe CNS-së, si dhe me projektet për të ardhmen.
Një prezantim më i detajuar i 13 botimeve u soll nga koordinatorja e këtij projekti, znj. Anisa Hykaj, e cila theksoi ndikimin që këto botime kanë te lexuesi, përmes temave interesante që trajtojnë.
Gazetarja dhe redaktorja Oriola Sula reflektoi mbi punën e bërë për promovimin e këtyre botimeve në emisione radiofonike, shpërndarjen e tyre përmes emaileve të hapura dhe postimeve në rrjetet sociale. Gjithashtu, është bërë një punë e mirë për dhurimin dhe shpërndarjen e dhjetëra kopjeve të tyre në shkolla, biblioteka, xhami, institucione etj., ose gjatë vizitave të studiuesve, profesorëve, kryetarëve të institucioneve vendase dhe të huaja, studentëve etj. në AIITC.
Disa nga këto botime u diskutuan më në detaje nga Kreu i Departamentit të Edukimit, z. Pëllumb Jaupi, Zëvendësdrejtori i AIITC-së, z. Genc Aga, teologu Ilir Curri dhe bashkëpunëtori z. Roald Hysa.
Disa nga të pranishmit në këtë webinar dhanë mendime dhe sugjerime për t’u marrë në konsideratë. Takimi u mbyll me urimin që viti i ardhshëm do të sjellë realizimin e projekteve të tjera të rëndësishme.