Fenomene si vullkanet, tërmetet, përmbytjet apo stuhitë me bubullima janë fatkeqësi natyrore me të cilat njerëzimi bashkëjeton përditë, por shkenca e ka të vështirë t’i shpjegojë ose t’i paralajmërojë ato. Çdo muaj planeti ynë tronditet nga rreth 80,000 tërmete të shkaktuara nga lëvizja e pllakave tektonike, por shumica e tyre janë pothuajse të pandjeshme. Tërmeti me fuqi 6.8 ballë Rihter goditi Shqipërinë, i konsideruar i fuqishëm, ndërkohë që në mbarë botën regjistrohen rreth 120 goditje të tilla çdo vit.

Duke shfrytëzuar situatën e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit, që rriti frikën dhe pasigurinë në zemrat e njerëzve, Departamenti i Myftinive pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam organizoi aktivitetin: “Tërmetet, Ftesë për Reflektim nga Ndërtuesit dhe Përkujtim për Besimtarët”, ku morën pjesë Dr. Edvin Ruka, studiues i shkencave islame, dhe arkitekti Ersen Dedja.

Pas hapjes së aktivitetit nga Kreu i Departamentit të Myftinive, z. Pëllumb Jaupi, Dr. Edvin Ruka i konsideroi fatkeqësitë natyrore si një fenomen që duhet të shërbejë si përkujtim dhe paralajmërim. Tashmë është vërtetuar mirë se zhvillimi industrial ka pasur gjithashtu ndikim negativ, veçanërisht në ndotjen mjedisore apo zhdukjen e faunës. Edhe pse nuk mund të shpjegohen plotësisht shumë nga këto fenomene si përmbytjet, tërmetet, stuhitë, vullkanet, ato përmenden në Kuran, gjë që tregon vërtetësinë e Librit të Shenjtë dhe rëndësinë e besimit në Zotin si Krijues i gjithçkaje. Ai këshilloi shtimin e lutjeve dhe falënderimeve ndaj Zotit si ngushëllim ndaj fatkeqësive, por edhe si mënyra më e mirë për përmirësimin e njeriut dhe shoqërisë.

Arkitekti Ersen Dedja shpjegoi disa nga shkaqet e tërmeteve nga këndvështrimi shkencor, pasojat e tyre në mjedis dhe gabimet njerëzore që rrezikojnë jetët tona. Fillimisht u ndal te struktura dhe përbërja e tokës. Më pas bëri një klasifikim të tërmeteve sipas fuqisë në shkallën Rihter, thellësisë dhe vibrimit. Edhe pse tërmetet janë të papritur dhe nuk mund të parashikohen, masat e marra për të parandaluar dëmet e shkaktuara prej tyre lidhen kryesisht me sigurinë e ndërtesave. Çdo ndërtues duhet t’u përmbahet normave të legjislacionit në fuqi, i cili në Shqipëri kërkon që ndërtesat të përballojnë lëkundje deri në 9 ballë Rihter. Sipas tij, ndërtimi pa kushte dhe mos-zbatimi i kushteve teknike të sigurisë në vendin tonë janë shkaqet kryesore të dëmeve materiale dhe njerëzore nga tërmetet.

Takimi u përshëndet edhe nga Kryetari i Bordit të Drejtorëve të AIITC-së, Dr. Faruk Borova. Të pranishmit patën mundësinë të diskutonin dhe të drejtonin pyetje mbi temat e trajtuara në këtë takim, informues dhe edukativ.