Në kuadër të Akademisë “Popuj dhe Kultura” të AIITC-së, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam zhvilloi një takim online mbi “Lumturinë nga perspektiva islame”. I ftuar në këtë takim ishte Prof. Dr. Mesut Idriz. I lindur në Maqedoninë e Veriut, ai u diplomua në Institutin Ndërkombëtar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam. Ka dhënë mësim në shumë institucione të arsimit të lartë në mbarë botën. Ka botuar, redaktuar dhe përkthyer shumë libra dhe artikuj akademikë mbi Ballkanin, historinë osmane, edukimin dhe qytetërimin islam etj. Aktualisht është Kreu i Departamentit të Historisë dhe Qytetërimit Islam në Universitetin e Sharjas në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Akademia “Popuj dhe Kultura” u hap nga Drejtori i AIITC-së, Dr. Ardian Muhaj, i cili vlerësoi figurën e Prof. Idriz për kontributet e tij të shumta në edukimin dhe qytetërimin islam, duke e konsideruar temën jashtëzakonisht aktuale për situatën që po kalon sot i gjithë bota.
Ndërsa Prof. Dr. Mesut Idriz e nisi fjalimin e tij duke theksuar se ende sot askush nuk ka arritur të japë një përkufizim të plotë të lumturisë. Sipas tij, thelbi i këtij termi e ka burimin te Kurani. Interpretimi i lumturisë duhet të bëhet sipas kuptimeve të Kuranit, ku interesant është fakti se koncepti i lumturisë nuk shpjegohet drejtpërdrejt, por në kuptimin metaforik, përmes të kundërtave. Fenomenet negative të largojnë nga lumturia. Ai përfundoi se duhet t’i referohemi Kuranit për të kuptuar lumturinë e vërtetë; se elementet e trishtimit, zisë dhe tragjedisë nuk janë pjesë e Islamit, por kanë ardhur nga kultura të tjera.