Pas botimit me sukses të numrit 21-të të revistës shkencore-kulturore “Univers”, bordi redaktues u mblodh për të diskutuar artikujt e paraqitur për botim në numrin n0 22.
Në takim morën pjesë drejtori i revistës, Dr. Ardian Muhaj, kryeredaktori Prof. Ass. Dr. Ramiz Zekaj, anëtarët Prof. Dr. Arian Kadiu, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, Prof. Dr. Ramazan Bogdani, Prof. Dr. Nevila Nika, Prof. Dr. Seit Mansaku dhe koordinatorja e revistës, znj. Oriola Sula.
Pas prezantimit të rendit të ditës, drejtori Ardian Muhaj vuri në dukje disa ndryshime në strukturën e redaksisë, siç është tërheqja e Prof. Dr. Hamit Boriçit, për arsye personale. Ai vlerësoi kontributin e tij shumëvjeçar në vlerësimin e artikujve me profesionalizëm.
Koordinatorja znj. Anisa Hykaj, e cila po largohet nga ky post për shkak të angazhimeve të saj në fushën e turizmit dhe trashëgimisë kulturore, u vlerësua gjithashtu për punën e mirë në menaxhimin e revistës “Univers”.
Kryeredaktori, Prof. Ass. Dr. Ramiz Zekaj, bëri një përmbledhje të gjithë punës, çështjeve dhe risive të numrit n0 21 të revistës, të botuar së fundmi. Ai tha se ky numër erdhi me një format dhe dizajn të ri, me punime cilësore dhe studime shkencore autentike. Ai vlerësoi gjithashtu disa nga temat që numri 22 do të sjellë në linjë me zhvillimet më të fundit, shumica prej të cilave të patrajtuara më parë.
Takimi vazhdoi me diskutimet e të gjithë anëtarëve të bordit redaktues mbi artikujt e paraqitur për shqyrtim, ku profesorët e nderuar dhanë vlerësimet dhe sugjerimet e tyre për ndërhyrjet e nevojshme në këto punime, me synimin që të botoheshin në versionin më të mirë të mundshëm.