Më 8 shkurt 2021, ndërroi jetë në moshën 80-vjeçare, intelektuali dhe studiuesi Alush Saraçi, një punëtor i palodhur për komunitetin e Tiranës, njeri me virtyte të larta dhe kontribute patriotike. Ai lindi në Elbasan, më 03.08.1941. Ishte një kontribues i palodhur në fushën e arsimit, njeri i devotshëm familjar dhe besimtar.
Si i diplomuar, nga viti 1960 deri në ’63 arriti të jetë ndër mësuesit e një brezi të zgjedhur nxënësish në gjimnazin “10 Korriku” (më vonë “Sami Frashëri”), ku dha lëndën “Punë praktike”.
Pas viteve ’90, Alushi u bë Drejtor i Personelit në Spitalin “Nënë Tereza”. Gjatë kësaj periudhe, ai zhvilloi disa kualifikime dhe trajnime në SHBA, ku pas kthimit në Tiranë, i ofroi ndihmë vendit, duke drejtuar me përgjegjësi sektorë të ndryshëm të rëndësishëm në bashki, si kreu i Zyrës së Pritjes, dhe në disa poste të tjera zyrtare.
Ai ishte një nga bashkëpunëtorët e parë dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të AIITC-së, ku kontribuoi me idetë dhe përvojën e tij profesionale për vite me radhë. Këshillat e tij për stafin e AIITC-së ishin ndër më të vlefshmit dhe shumë të dobishëm për ecurinë e punës përgjatë viteve.
Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam shpreh ngushëllimet e tij të sinqerta për familjen Saraçi për humbjen e tij, duke vlerësuar figurën e Profesor Alush Saraçit, si një personalitet i shquar, patriot i madh, njeri i dashur dhe bashkëpunëtor shembullor.
Zoti e mëshiroftë dhe e vendostë në kujdesin e Tij!