Autor: Prof. Dr. Arian Kadiu
Botues: AIITC
Viti i botimit: 2014
Vendi i botimit: Tiranë
Një nga personalitetet është Raif Kadiu, ku në këtë studim monografik, vendosja e këtij personaliteti të njohur për dibranët, mbi shtratin historik të kohës kur ai jetoi, gjatë shekullit XIX dhe XX, i mundësoi autorit të japë një kontribut të vlefshëm në historinë e shqiptarëve. Raif Kadiu, siç del qartë në monografi, i përket jo vetëm Dibrës, por ishte një personazh me përmasa që kaperxejnë kufijtë e atdheut të tij.
Autori, me punën e tij kërkimore mbi burime arkivore dhe burime të tjera të autorëve të shquar, material të shkruar dhe gojor, na ka dhënë në mënyrë të qartë dhe bindëse jetën dhe veprimtarinë e pasur të Raif Kadiut, dhe veçanërisht rolin e tij të spikatur në ngjarje vendimtare të kohës, që lanë gjurmë në procesin historik të kombit shqiptar.
Personaliteti i Raif Kadiut u ngrit dhe u afirmua jo vetëm në veprimtarinë e tij si klerik i fesë së cilit i përkiste, por edhe në veprimtarinë e tij patriotike që në moshë të re. Duke iu referuar rolit të institucioneve fetare të kohës në organizimin e ngjarjeve vendimtare, ku luhej fati i atdheut, autori ka reflektuar gjithashtu rolin e klerikut Kadiu në këto ngjarje të mëdha historike.
Emri dhe vepra e Raif Kadiut kanë lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen e dibranëve, të cilët edhe sot i referohen diturisë së tij si burim urtësie, duke përmendur jo pak edhe shprehjen: “siç e ka thënë edhe Kadiu i Parë”. Përmasat e urtësisë dhe patriotizmit të Raif Kadiut “zbulohen” hap pas hapi. Guximi i tij shkoi përtej rrethanave të kohës. E tillë ishte guximi i tij për t’u kundërvënë pushtimit të vendit nga Italia fashiste, duke iu përgjigjur ironikisht kërkesës italiane për të qenë pjesë e delegacionit shqiptar, që do t’i dorëzonte kurorën e Skënderbeut Mbretit Viktor Emanuel III.
“Mbreti dhe Dukati juaj e kanë marrë Kurorën e Skënderbeut që nga dita që na liruat,” deklaroi ai në sytë e autoriteteve pushtuese italiane. Ai kishte besim të madh se flamuri kombëtar shqiptar do të valëvitej edhe në Kosovë dhe Çamëri, të shkëputura padrejtësisht nga Fuqitë e Mëdha të kohës, të ndara nga harta e shtetit të pavarur shqiptar. Mjedisi natyror dhe shoqëror ku veproi Raif Kadiu është Dibra me popullin e saj, e pasur, me një botë të gjerë shpirtërore. Prandaj, ekziston një vlerësim i madh i bashkatdhetarëve për personalitetin e Kadiut.
Ndriçimi dhe shkëlqimi i veprës së klerikut Raif Kadiu në librin e Arian Kadiut është gjithashtu një shprehje humanizmi dhe dashurie për njerëzit, të cilëve u dha gjithçka që mundi, ashtu siç bëri edhe për fenë së cilës i përkiste.