Titulli: Shura – Parimi Kuranor i Këshillimit, një Mjet për Rindërtim dhe Reformë

Autor: Ahmad Al-Raysuni

Nr. i faqeve: 246

Botues: AIITC

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve të Avancuara (CNS), po përfundon procesin e botimit të një libri me titull: “Shura – Parimi Kuranor i Këshillimit, një Mjet për Rindërtim dhe Reformë” i autorit Ahmad Al-Raysuni. Ky punim shkencor mbi temën e këshillimit është vazhdim i një serie botimesh që po realizohen në gjuhën shqipe për të plotësuar njohuritë e shqiptarëve mbi zhvillimet bashkëkohore shkencore dhe kulturore islame.

Në dekadat e fundit, fusha akademike dhe kulturore islame ka qenë dëshmitare e botimit të qindra librave dhe artikujve mbi çështjen e këshillimit (Shura). Por ka ende shumë për t’u thënë mbi këtë çështje. Myslimanët sot nuk janë të vetëdijshëm për rëndësinë dhe vlerën e Shurasë, ndërsa dijetarët janë disi të pasigurt nëse ajo është e detyrueshme apo jo dhe cilat çështje kërkojnë këshillim.

Trajtuar gjerësisht në këtë libër, Shura shpesh komentohet si një pjesëmarrje demokratike në një proces vendimmarrjeje të bazuar në Kuran dhe Traditën Profetike. Kjo ka nxitur debat mes kritikëve që sfidojnë barazimin e Shurasë me demokracinë. Fatkeqësisht, sipas autorit, edhe pse shumë është shkruar mbi këtë temë, në fakt, ky lloj këshillimi është zbatuar në mënyrë joefikase, në rastin më të mirë, dhe është injoruar në mënyrë të pakujdesshme, në rastin më të keq.

Përmes këtij libri, autori synon të promovojë praktikën e këshillimit dhe të mbështesë përpjekjet për ndërtimin e komunitetit islam në mbarë botën. Duke trajtuar mendime dhe ide të ndryshme, si dhe duke sjellë shembuj dhe fakte reale, autori arrin në përfundimin se këshillimi duhet të miratohet si një mënyrë jetese për të gjithë myslimanët për të mbrojtur interesat e tyre. Pjesa më e madhe e librit eksploron mënyrat përmes të cilave parimi i këshillimit mund të inkorporohet, institucionalizohet dhe zbatohet në shoqërinë myslimane. Libri është tashmë në proces shtypi dhe së shpejti do të jetë në duart e lexuesve.