Me përkthim dhe transkriptim në shqip
Botues: AIITC
Viti: 2010, 2012
ISBN: 978-99956-713-7-2
Falenderojmë Zotin e Madh, i cili na jep forcën dhe mundësinë të vështrojmë dhe admirojmë vazhdimisht Kuranin Fisnik. Në çdo sure dhe ajet të këtij libri të shenjtë besimtari mysliman gjen rrugën e drejtë dhe Këshillën Hyjnore. Pas botimit të “Xhuz Amme”, i cili përmbledh suret e shkurtra të Kuranit, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam këtë herë vjen në ndihmë të besimtarëve myslimanë me botimin e sures “Ja Sin”, e cila tradicionalisht është lexuar nga besimtarët dhe shumë prej tyre e kanë mësuar edhe përmendsh.

Komentuesit e Kuranit shpjegojnë se shprehja “Ja Sin – O Ti Njeri!” është një thirrje drejtuar njeriut të gjallë, i pajisur me virtyte të vërteta njerëzore dhe i aftë të lexojë dhe të mësojë nga Libri i Shenjtë.

Sure “Ja Sin” me përmbajtjen e saj gjendet pranë zemrës, shpirtit, jetës dhe punës së çdo myslimani dhe muslimaneje, duke i udhëhequr ata në jetën e tyre me mësimet e Kuranit Fisnik dhe mesazhet e Profetit Muhamed (a.s.). Brezat e myslimanëve në trojet shqiptare në suren “Ja Sin” gjetën mbështetje të fortë morale për të qenë besimtarë të devotshëm.

Kjo sure u drejtohet të gjitha brezave si udhëzim dhe orientim në jetën e tyre për t’u ngritur shpirtërisht dhe moralisht. Kushdo që e lexon dhe vepron në përputhje me mësimet e saj përsoset dhe, me sjelljen dhe veprimin e tij, merr kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut (SWT).

Në suren “Ja Sin” Allahu (SWT) urdhëron Profetin Muhamed (a.s.) të paralajmërojë jobesimtarët se një dënim i rëndë i pret, por përsëri nuk do të korrigjohen. “Për ta është njësoj, qofshi i paralajmëroni apo jo, ata nuk besojnë.” (36:10).

Sure “Ja Sin” konsiderohet një buqetë për besimtarët myslimanë, pasi ata përfitojnë nga këshillat dhe mësimet. Për këtë arsye, Kurani mbetet libri më i dashur dhe më i lartë, i cili gjithmonë i afrohet këshillës së mirë kujtdo që e lexon dhe dëshiron të veprojë sipas udhëzimeve të tij, gjë që i bën ata të kenë sukses në këtë botë dhe në botën tjetër, në ahiret. “Në të vërtetë, paralajmërimi yt përfiton vetëm ai që ndjek këshillën (Kuranin) dhe i frikësohet të Gjithëmëshirshmit, edhe pa e parë Atë. Jepi lajmin e mirë të faljes dhe shpërblimit bujar.” (36:11).

Për të udhëhequr njerëzimin në rrugën e drejtë, Allahu (SWT) solli Profetët e Tij në Tokë, por popuj mosbindës jo vetëm që nuk iu bindën, por u sollën keq dhe i godhitën. Për këtë arsye jobesimtarët në Kuran thonë: “(mjafton) vetëm një britmë e tmerrshme, pas së cilës ata u shuan papritmas.” (36:29)
Për sa i përket atyre që iu bindën profetëve, thuhet: “Kemi krijuar kopshte hurmash dhe vreshtash në tokë, kemi bërë burime uji në to.” (36:34)

Duke lexuar suren “Ja Sin” njeriu kupton se gjithçka në univers, në qiell dhe në tokë, se Dielli, Hëna dhe yjet janë krijuar për qëllime të caktuara. Gjithçka e krijuar nga Allahu ekziston dhe funksionon sipas ligjeve të vendosura prej Tij. Kurani thotë: “Dielli sillet në drejtimin e vet të caktuar. Kjo është ajo çka ka urdhëruar i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdijshmi.” (36:38)

Sure “Ja Sin” na kujton shumë argumente që dëshmojnë se Allahu (swt) ia zbriti Kuranin Profetit Muhamed (a.s.) për të urdhëruar, këshilluar dhe udhëhequr njerëzimin në rrugën e drejtë. Allahu (SWT) është Bujari më i Madh dhe ka krijuar shumë të mira për njeriun, sepse vetë njeriu është një qenie e krijuar prej Tij për një qëllim specifik: ta adhurojë Atë të Vetëm.

Në suren “Ja Sin”, Zoti i Lartësuar betohet në Kuranin Fisnik për të vërtetuar autenticitetin e Profetit Muhamed (a.s.). Kjo i jep shkëlqim dhe madhështi betimit, sepse Allahu (swt) betohet në diçka të madhe dhe që meriton betimin. Shpresojmë që myslimanët shqiptarë do të vlerësojnë përpjekjet tona për t’u përcjellë fjalën e Allahut (SWT).