Tiranë, 02.07.2020
Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam zhvilloi takimin e Bordit të Drejtorëve për të analizuar veprimtarinë e gjashtëmujorit të parë të vitit 2020, ku aktivitetet shkencore dhe kulturore kanë qenë në qendër të punës së këtij instituti. Të pranishëm në këtë takim ishin themeluesi i AIITC-së, Prof. Asoc. Dr. Ramiz Zekaj; Kryetari i Bordit, Dr. Faruk Borova; Drejtori i AIITC-së, Dr. Ardian Muhaj, si dhe anëtarët: Prof. Dr. Shaban Murtati, Prof. Dr. Alush Saraçi, Prof. Xhemal Balla dhe Prof. Asoc. Dr. Reis Mulita.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Bordit, Dr. Faruk Borova, njohu anëtarët me rendin e takimit si dhe me një pasqyrë të përgjithshme të veprimtarisë së AIITC-së. Drejtori Ardian Muhaj paraqiti raportin e punës 6-mujore, sipas departamenteve përkatëse të institutit. Ai gjithashtu listoi disa nga objektivat e AIITC-së për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2020, projekte dhe aktivitete që pritet të zbatohen së shpejti. Pas këtij prezantimi të detajuar, anëtarët e Bordit, të përbërë nga emra të njohur të shkencës dhe kulturës shqiptare, analizuan ecurinë e punës kërkimore të AIITC-së për pjesën e parë të vitit 2020, duke dhënë propozime dhe sugjerime përkatëse, që synonin përparimin e planeve dhe projekteve të ardhshme.
Pas diskutimeve të frytshme, themeluesi i AIITC-së, Prof. Asoc. Dr. Ramiz Zekaj, vlerësoi punën e stafit të AIITC-së për realizimin e pritshmërive, brenda veprimtarisë shkencore dhe kulturore të këtij instituti. Ai gjithashtu sugjeroi disa ndryshime që i konsideroi të nevojshme në strukturën administrative, me qëllim marrjen e impulseve të reja. Pas diskutimit të këtyre sugjerimeve, ato u miratuan me shumicë votash nga Bordi i Drejtorëve dhe pritet të bëhen të njohura dhe të zbatohen në ditët në vijim.