Tiranë, 30.01.2018
Akademia “Popuj dhe Kultura” e AIITC-së organizoi takimin e saj të 11-të mbi “Trashëgiminë Kulturore të Egjiptit dhe Rëndësinë e saj në Zhvillimin e Turizmit”, në Hotel Jaco Imperial, ku u ftua Ambasadori i Republikës së Egjiptit, z. Mohamed Khalil. Në takim morën pjesë përfaqësues të ambasadave të ndryshme, të akredituara në Tiranë, studentë, intelektualë dhe drejtues agjencish turistike.
Në fjalën e tij hyrëse, Drejtori i AIITC-së, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, theksoi se marrëdhëniet e popullit shqiptar me Egjiptin datojnë që nga viti 1800, me Mehmet Ali Pashën, të ndjekur nga bijtë e tij, të njohur gjithashtu si themeluesit e shtetit modern egjiptian. Edhe pse sundimi i dinastisë egjiptiane do të përfundonte në vitin 1952, marrëdhëniet shqiptare me Egjiptin nuk do të ndërpriteshin në shumë fusha. Hapat e para të Rilindjes Kombëtare u hodhën në Egjipt, ku aktivistë shqiptarë të lindur atje, ose që kishin emigruar me kohë, do të bëheshin pionierë të lëvizjes patriotike, duke zhvilluar një aktivitet të dendur në promovimin e kulturës dhe letërsisë shqiptare.
Edhe gjatë regjimit komunist, u ruajtën marrëdhëniet diplomatike dhe kulturore mes dy vendeve. Pas viteve ’90, shteti shqiptar ka nënshkruar me atë egjiptian jo më pak se 16 marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, të cilat kanë kontribuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.
Nga ana e tij, Ambasadori Mohamed Khalil u ndal në dy çështje, duke prezantuar zhvillimin ekonomik dhe turistik të Egjiptit dhe marrëdhëniet dypalëshe Egjipt-Shqipëri. Sa i përket zhvillimit ekonomik, theksoi se Egjipti është një nga vendet më të mëdha dhe më të pasura me burime në Lindjen e Mesme. Falë klimës dhe pozicionit gjeografik jashtëzakonisht të favorshëm, Egjipti konkurron denjësisht ndër vendet më të bukura turistike. Për më tepër, vendi përfaqëson një nga djepet më të mëdha të Trashëgimisë Botërore, me piramida dhe monumente të tjera antike, që përbëjnë 1/3 e trashëgimisë kulturore botërore. Ai e quajti Egjiptin tokën e profetëve dhe një vend që me institucionet e tij historike, si Universiteti Al Az’har, përcjell vlerat e vërteta të Islamit.
Ndërsa në pozicionin e tij si ambasador, z. Khalil theksoi se ka kërkuar të intensifikojë marrëdhëniet mes dy vendeve duke zbatuar një sërë projektesh dypalëshe, si hartimi i një marrëveshjeje transporti detar, rifillimi i fluturimeve me çarter Tiranë-Sharm el-Sheikh apo pjesëmarrja në festivale ndërkulturore mes dy vendeve.
Në fund të fjalimit të Ambasadorit egjiptian, të pranishmit patën mundësinë të bisedonin me të, duke bërë shumë pyetje, veçanërisht mbi marrëdhëniet mes dy vendeve në fushën e kulturës dhe turizmit. Ata dolën me idenë e botimit në shqip të disa veprave të rëndësishme egjiptiane, si dhe sjelljen në Shqipëri të një ansambli popullor egjiptian. Nga ana e tij, z. Ambasadori tha se po bën përpjekje për të sjellë në Shqipëri përfaqësuesin e shkrimtarit egjiptian nobelist Naxhib Mahfudh.
Në fund të takimit, Kryetari i Bordit të Drejtorëve të AIITC-së, ish-Ambasador i Shqipërisë në Egjipt (1993-1997), Dr. Faruk Borova, falënderoi ambasadorin egjiptian për pranimin e ftesës nga Akademia “Popuj dhe Kultura” e AIITC-së për të qenë i ftuar në edicionin e saj të 11-të. Pasi i dhuroi z. Khalil Certifikatën e Vlerësimit nga Instituti, ai falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe i ftoi të merrnin pjesë në bisedat me koktej të përgatitura për këtë rast.