Autori: Tahir N. Dizdari
Botues: Dr. Ramiz Zekaj dhe Dr. Abdulaziz O. Ai. Twaijri
Vendi i botimit: Tiranë
Viti i botimit: 2005
Numri i faqeve: 1199

“Fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe” është një botim voluminoz që përmban rreth 4500 fjalë, me prejardhje turke, arabe e perse. Kjo vepër unike në trevat shqiptare e më gjerë, pati një rrugëtim të gjatë e të mundimshëm, derisa u mor përsipër të botohej nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, duke pasur parasysh vlerat e pamohueshme të tij dhe vlerësimin e lartë nga albanologë dhe ballkanologë të shquar, shqiptarë e të huaj. Rëndësia saj qëndron në saktësimin e kuptimit të shumë fjalëve e shprehjeve orientale që, prej shekujsh, janë bërë pjesë e fondit të gjuhës shqipe. Aty janë përfshirë shumë fjalë të përdorura nga autorë të hershëm shqiptarë si Gjon Buzuku, Frang Bardhi, apo nga rilindësi Konstandin Kristoforidhi, çka e bën një thesar për leksikologjinë e gjuhës shqipe.

Në hyrje të fjalorit autori shpjegon se, me përjashtim të disa fjalëve, i gjithë fondi prej rreth 4400 fjalësh, kanë depërtuar në gjuhën tonë drejtpërdrejt nga turqishtja dhe kanë pësuar deformime nga një dialekt në tjetrin. Megjithatë, etimologjia e këtyre fjalëve (zanafilla ose prejardhja) është kryesisht nga arabishtja, persishtja dhe më pak nga gjuhët: greke, latine, franceze, hebraike, hungareze, gjermane, sllave etj.

 “Fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe” është vlerësuar si një model i shkëlqyer për krijimin e urave lidhëse mes popujve të Ballkanit. Prof. Eqrem Çabej e ka cilësuaratë si “vepër me përmasa të gjera në gjuhën shqipe”, po kështu është vlerësuar edhe ngaakademiku hungarez, prof. J. Nemeth, apo gjuhëtari turk A. Baha-Ezler e shumë të tjerë. Ndërsa për institutin AIITC ky fjalor mbetet një ndër kontributet më të rëndësishme dhe dhuratat më të çmuara për shkencën dhe gjuhësinë shqiptare. Ai u shërben studiuesve, orientalistëve, historianëve, kritikëve etj.