Autor: Prof. Dr. Hysen Çobani
Viti i botimit: 2008
Nr. i faqeve: 85
ISBN: 978-99956-652-0-3 

Rreth librit:

“Islami flet edhe shqip” i autorit Hysen Çobani është një libër eseistik, në shqip dhe anglisht, që vështron në mënyrë panoramike çështjen e besimit dhe të kulturës islame në Shqipëri. Ai sjell të dhëna filozofike, historike, psikologjike e sociologjike, sinkronizimi i të cilave na njeh me zhvillimin e islamit mes shqiptarëve, që nga zanafilla deri në bashkëkohësi.
Libri i botuar nga AIITC, ka si qëllim të ushqejë, të zgjerojë e të thellojë marrëdhënien tradicionale shembullore mes dy besimeve të mëdha të shqiptarëve, Islamit dhe Krishterimit. Mirëkuptimi ynë, i pakuptueshëm për shumë popuj të tjerë, rrjedh nga formula Kombësi – Fe, një çelës i artë që shumë popuj nuk e kanë gjetur dot. Pra, përpara se të jemi myslimanë apo të krishterë, ne jemi shqiptarë.
Sipas autorit, Islami paraqitet si një fe natyrore, e gjallëruar nga një shpirt universal, që qëndron mbi çdo spekulim dogmatik. Ai nuk njeh asnjë kontradiktë me shkencën, na fton të jetojmë një jetë të pastër shpirtërore, por edhe të shijojmë gjithë të mirat që na ofron natyra. 

Pak histori:

Islami erdhi në Europë që në shekullin VII, me pushtimin e Spanjës nga arabët. Oborret mbretërore të Europës ishin në garë, se kush do ta imitonte më shumë dhe më mirë shkëlqimin e kulturës islame. Ndërsa shqiptarët u njohën me fenë islame në shekullin XIV, pas pushtimit osman. Turqit osmanë nuk u treguan të dhunshëm për t′ua imponuar fenë islame popujve të pushtuar prej tyre.
Te shqiptarët, gjatë kësaj periudhe, ndodhi një ndryshim në strukturën shpirtërore, ku identiteti kombëtar njësohej me atë fetar, një element që e bëri popullin tonë të pa asimilueshëm nga të tjerët. Feja islame i shpëtoi shqiptarët nga thonjtë e shovinistëve të egër grekë e sllavë. Madje edhe rilindësit e kthyen këtë formulë në filozofi, për ta ruajtur kombin të pandarë.

Në fund të shekullit XVII, pas pushtimit osman, Shqipëria ishte islamizuar, në gjithë vendin ishin ngritur medresetë dhe kishte filluar të lulëzonte një kulturë me nuancë të theksuar orientale. Por, pas Kongresit të Berlinit, ndarja e trojeve shqiptare shkaktoi një emigracion masiv tragjik, të shoqëruar me shpërnguljen e dhunshme të muslimanëve, madje duke i detyruar që të ktheheshin në të krishterë. Megjithatë ata i rezistuan çdo përpjekjeje për asimilim e konvertim. Kjo qëndresë erdhi edhe në 50 vitet kur diktatura komuniste e ndaloi ushtrimin e fesë, por nuk e ndali dot besimin në shpirtin e shqiptarëve.

Autori nënvizon se Islami u ka folur shqiptarëve në gjuhën e tyre amtare, u ka përcjellë mesazhet e paqes, duke predikuar besimin në Zot, si arkitekti i përkryer i gjithësisë dhe vetë njeriut. Ai ua forcoi dashurinë për atdheun dhe mëkoi tek ata ndërgjegjen kombëtare, u mësoi se janë vëllezër dhe duhet të jetojnë në harmoni, i këshilloi të punojnë më shumë për përvetësimin e dijes dhe kulturës, që të zhvillohen e të përparojnë. 

Myslimanët shqiptarë sot:

Shqiptarët e ushtrojnë besimin islam në Europë, të rrethuar nga shtete kristiane të përparuara. Këtu qëndron edhe veçantia e popullit tonë. Kultura islame është sot pasuri kombëtare e fituar ndër shekuj, me të cilën identifikohen rreth 90% e popullsisë. Një nga parimet e fesë islame është liria dhe barazia, dy tipare që ushqyen te shqiptarët dëshirën për demokraci, duke respektuar të drejtat e njeriut dhe lirinë e individit. Sipas autorit, mesazhet e qarta që përcjell feja islame, mund ta mbrojnë popullin shqiptar nga disa të këqija që edhe vetë Perëndimi po i lufton sot.