Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, shpall fituesit e “Ҫmimi AIITC 2010”, nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në fushën e librit dhe krijimtarisë artistike më të arrirë në trojet shqiptare.

Në ceremoninë festive të mbajtur me këtë rast në mjediset e Hotel Sheraton Tirana, morën pjesë Kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë H, ing. Selim Muça, Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, H. Edmond Brahimaj, drejtori i sektorit të botimeve në Ministrinë e Turizmit, Kulturës,Rinisë dhe Sporteve z. Ermir Nika, Ambasadorja e Egjiptit, Emina Gomaa e të tjerë diplomatë të trupës së huaj në Tiranë. Të pranishëm ishin dhe përfaqësues të institucioneve arsimore, kulturore e shkencore si dhe drejtues të shoqatave të ndryshme, përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë të të gjitha fushave si dhe dashamirës të shkencës, kulturës e artit.

Drejtori i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, Dr. Ramiz Zekaj pasi përshëndeti të pranishmit,falenderoi të gjithë konkurentët e çmimit AIITC 2010 në të gjitha kategoritë dhe theksoi se çmimi AIITC, stimulon forcat kryesore krijuese për të pasuruar më tej panteonin e shkencës,kulturës dhe artit shqiptar.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Ermir Nika,theksoi se duke mbështetur këtë eveniment,mbështetet kultura mbarë shqiptare duke vlerësuar kështu rolin e Ҫmimit AIITC dhe punën e zhvilluar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam në drejtim të zbulimit dhe promovimit të vlerave të trashëgimisë kulturore në Shqipëri e më gjerë.

I ftuari i nderit në këtë ceremoni,drejtori i gazetës më të madhe të Emirateve të Bashkuara Arabe – Alfexhr,z.Mahmud Alija e konsideroi shumë të dobishëm dhe të lavdërueshëm kontributin e AIITC në hulumtimin dhe publikimin e vlerave të Islamit si besim,kulturë dhe shkencë. Ai tha se vëren me kënaqësi që Islami si besim ka dhënë dhe jep ndihmesë të konsiderueshme në drejtim të përparimit të shoqërisë shqiptare.

Anëtari i jurisë për vlerësimin e librit dhe përkthyesit më të mirë ,Prof.dr. Xhevat Lloshi shpalli fituesit e këtyre dy kategorive:

Me çmim të parë si libri më i mirë i vitit 2010 u vlerësua “Glosar i Nocioneve Fetare” i studiuesit nga Kosova,Mr. Qemal Morina,i cili sjell në gjuhën shqipe terminologjinë e feve kryesore në në trevat shqiptare. Me çmim të dytë u vlerësua libri: “Dibra e Madhe dhe Një Vështrim në Dibrën e Vogël” me autor prof.dr.Arian Kadiu. Ndërsa me çmim të tretë u vlerësuan libri “ Muslimanët në kërkim të një identiteti” i autorit të mirënjohur nga Bosnja,Adnan Silajxhic dhe libri i Bardhyl Ficos,”Anamorfoza e Mesazhit të Madh”.

Midis përkthyesve,u vlerësua me çmim të parë Arjol Guni, pwr realizimin e tij me mjeshtëri dhe gjuhë të qartë e të pasur me vlera artistike, librin “Kryqëzatat në syrin e arabëve” të Emin Maaluf.

Me çmim të dytë si përkthyes u vlerësua Ferit Hafizi.

Kryetari i jurisë së artit,prof.dr. Ylli Drishti shpalli fituesit e kësaj kategorie. Me çmim të parë u vlerësua piktori dhe artisti i popullit Skënder Kamberi me pejzazhin “Pranverë”, ndërsa me cmim të dytë,për pikturën “Pamje në qytetin tim”,u vlerësua piktori Sadik Kasa.

Ҫmimet për krijuesit e rinj i shpalli prof. dr. Arian Kadiu. Këtu u vlerësua me çmim të parë Elida Rrustemi,studente e gazetarisë, me çmim të dytë Visar Hyseni nga shkolla “Migjeni”,Pukë dhe me çmim të tretë në këtë kategori u vlerësuan, Eliza Gjerani,studente në gazetari dhe studenti i shkencave sociale, Ardit Driza.

Vlen të përmendet se Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam – AIITC, organizon çdo vit,që prej vitit 2006, “Cmimin AIITC” përmes të cilit i jepet shtysë e mëtejshme shkencës, kulturës dhe artit islam në trojet shqiptare. Ai jepet për katër kategori: Libri më mirë i vitit në fushën e shkencës, kulturës e artit islam, përkthyesi më i mirë i vitit,piktura më e arrirë si dhe krijimtaria më e bukur e moshave të reja.

Që prej pesë vitesh ky çmim, ka vënë në garë studiuesit, historianët, shkrimtarët, teologët, piktorët si dhe talentet e reja. Gjatë këtyre pesë viteteve, falë Ҫmimit AIITC, janë botuar rreth 75 libra në fushën e islamistikës. Shumë piktorë shqiptarë kanë realizuar peisazhe nga më mahnitëset dhe me vlera të veçanta artistike bazuar në parimet dhe traditën e artit pamor islam. Moshat e reja, janë motivuar për të garuar në gjetjen e së bukurës në krijimtarinë e tyre poetike.