Mbështetur në përmbledhjen e Imam
Zejnudin El-Zubejdit
Botues: AIITC
Viti: 2013
ISBN: 978-99956-713-1-0-2
Mësimi i traditës së Profetit Muhamed a.s. është dëshirë dhe detyrë e çdo besimtari musliman. Duke njohur personalitetin, veprimet, fjalët dhe miratimet e Profetit a.s., besimtari mëson se si duhet të ndjekë rrugën e Zotit, mëson se ajo duhet të jetë e ngadaltë, e kujdesshme dhe e vazhdueshme. Dijetarët islamë gjejnë nё kёtё traditë mënyrën se si duhet ta kuptojnë dhe ta interpretojnë Kuranin, pasi aty gjejnë arsyet e shpalljes së shumë ajeteve (vargjeve) kuranore, si dhe shpjegimin e tyre. Aty të devotshmit gjejnë kuptimin më të lartë të devotshmërisë, ashtu siç gjejnë tregtarët rregullat e tregtisë dhe ata që janë sprovuar me fatkeqësi, modelin më të mirë për durimin dhe qëndrueshmërinë.

Tё rinjtë mësojnë sjelljet morale më të larta, edukatën e duhur, besimin e pastër dhe mënyrën se si duhen kryer ritualet fetare e lutjet në përgjithësi. Në traditën e Profetit Muhamed a.s. umeti islam mëson se si duhet bërë shteti. Juristët islamë, gjejnë rrugën për të materializuar ëndrrat e tyre për drejtësinë, harmoninë dhe mirëkuptimin midis të gjithë njerëzve.

Njëri nga librat që e ka përcjellë në mënyrën më autentike këtë traditë dhe që njihet si burimi i dytë i shkrimeve islame, pas Kuranit të Madhërishëm, është pikërisht vepra “Sahih el-Buhari”. Ai ka qenë prej kohësh në vëmendjen e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC) për shkak të vlerës së tij teologjike dhe për gjerёsinё e mesazheve hyjnore, njerëzore e shkencore që përcjell. Duke qenë se vepra e plotё përmban një numër të madh hadithesh të përsëritura, AIITC vendosi që të botonte përkthimin e një versioni të shkurtuar, me titull “Muhtesar Sahih el-Buhari” (Pёrmbledhje e librit Sahih el-Buhari), i përpunuar nga imam Zejnudin Zubejdi.

Megjithatë libri përmban 2230 hadithe autentike, të cilat shërbejnë si referencë për studiuesit e Islamit, studentët e fakulteteve teologjike dhe nxënësit e medreseve, si rregullator i jetës dhe i fesë së çdo besimtari musliman shqiptar. Pas punës së kryer, është bërë e mundur që kjo vepër të dalë në një formë sa më të lehtë, në mënyrë që të përfitojë prej saj çdo lexues.

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, e ka bërë traditë tashmë botimin e veprave të literaturës islame, për të plotësuar sadopak nevojën e lexuesit shqiptar për njohjen e botëkuptimit dhe të praktikës fetare islame. Botimet në këtë fushë kanë qenë të shumëllojshme, duke filluar me botimin e përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe, me broshurat e vogla njohëse mbi parimet dhe rregullat bazë të fesë, e duke vijuar me vepra voluminoze, siç është “Fikhus-Sunneh / Legjislacioni i Traditës së Profetit Muhamed a.s.”. Në kuadër të kësaj politike botuese është edhe dalja e kësaj vepre burimore të fesë islame.