Për të përmirësuar nivelin e punës, për të qenë sa më produktivë, për të pasur sa më shumë ndikim, si dhe për ta raportuar në formën më të mirë të mundshme aktivitetin e kryer, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam organizoi ditën e mërkurë, datë 01 maj 2013 në mjediset komode dhe bashkëkohore të Qendrës Kulturore “Milenium” – Shkallnur, Durrës – seminarin trajnues me temë: “Udhëzime praktike për përmirësimin e punës së arsimtarëve fetarë

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm arsimtar fetarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë si nga: Tirana, Kavaja, Rrogozhina etj, të cilët bashkëpunojnë me AIITC në kryerjen e punës dhe misionit të tyre, pasi AIITC është pala mbështetëse e tyre.Seminari u çel me këndimin e disa ajeteve nga Kurani Fisnik, të cilat i përcolli njëri prej arsimtarëve fetarë të pranishëm Muhamed Estrefi.

Ky trajnim njëditor i arsimtarëve fetarë përbëhej nga dy seanca. Referuesi i seancës së parë ishte vet drejtori i AIITC Dr. Ramiz Zekaj, i cili u përqëndrua në dy çështje kryesore, e para: Puna me xhematin dhe e dyta: Komunikimi me AIITC. Në pjesën e parë Dr. Zekaj foli rreth rëndësisë së thirrjes në Islam, ku tha se ndershmëria dhe devotshmëria duhet të jenë primare për çdo arsimtarë fetarë. Gjithashtu Drejtori i AIITC ceku se çdo arsimtarë fetarë duhet të jetë model i asaj që propogandon, duhet të pajiset me dijet bashkëkohore, të planifikojë punën e thirrjes islame sipas moshave dhe nivelit intelektual të xhematit.

Çdo ftues në Islam duhet t’i kushtojë një rëndësi të veçantë përcjelljes së edukatës dhe besimit islam tek moshat e vogla, të rezervojë një kohë më të gjatë sesa ditës së xhuma për njohjen e xhematit me dijet fetare. Arsimtari fetarë duhet t’i kushtojë kujdes paraqitjes estetike të tij, të mos mjaftohet vetëm me propogandën fetare brenda xhamisë, por edhe në të gjithë komunitetin rreth e përqark.

Në pjesën e dytë të fjalimit të tij Dr. Ramiz Zekaj u shpjegoi arsimtarëve fetarë të pranishëm se si duhet të hartojnë raportet e tyre të punës, që veprimtaria që kryejnë të jetë e shpalosur në mënyrën më të mirë të mundshme, gjë e cila u realizua nëpërmjet modeleve të afishuara në monitor.

Seanca e dytë u mbajt nga zv.drejtori i AIITC Alban Kodra, si dhe përgjegjësi i Departamentit të Trashëgimisë Islame pranë AIITC Genc Aga, të cilët paraqitën për arsimtarët fetarë pjesëmarrës disa udhëzime praktike për një punë sa me efikase dhe me sa më shumë produktivitet. Ndër propozimet e paraqitura nga z.Kodra dhe Aga veçojmë: Përpilimin e temave të hytbeve të ditës së xhuma për të gjithë vitin 2013, përgatija e plan-programit për muajin e bekuar të Ramazanit, si dhe për shpërndarjen e mishit të Kurban Bajramit etj.

Në mes të seancave pati edhe pushim, i cili u shoqërua me coffee break, gjatë të cilit arsimtarët fetarë i shprehën drejtorit të AIITC shqetësimet që hasin gjatë punës së tyre fisnike, si dhe u diskutua për zgjidhjet e mundshme për problemet e ndryshme. Në kohën e namazit të iqindisë të gjithë së bashku si një trup i vetëm kryen faljen e namazit. Aktiviteti u cilësua nga të gjithë pjesëmarrësit si shumë dobiprurës. I gjithë organizimi u krye nën një atmosferë vëllazërore.

Në fund të këtij takimi me vlerë, arsimtarët fetarë u larguan duke marr me vete edhe propozimet, udhëzimet dhe sugjerimet, të cilat do t’i vënë në zbatim gjatë punës së tyre të vështirë dhe me shumë përgjegjësi, për të cilën lusim Allahun e Lartmadhëruar t’i shpërblejë në këtë botë dhe në botën tjetër.