Tiranë, 01.04.2014.

Nën temën “Udhëzime për realizimin e moderuar të thirrjes në Islam në kushtet e reja socio-kulturore”, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) organizoi në mjediset e tij një seminar trajnues për mësuesit e kulturës islame ku moren pjesë të interesuar të kësaj fushe nga Tirana, Kavaja etj.
Seminarin e drejtuan didakti dhe ligjëruesi i mirënjohur islam, prof. Xhemal Balla dhe teologu Eduart Thartori.
Prof. Balla trajtoi disa çështje të rëndësishme që duhet të ketë parasysh mësuesi i besimit në një komunitetet i cili tashmë ka pasur shumë zhvillime socio-kulturore të panjohura më parë. Ai ndaloi në disa nga kriteret që duhet të plotësojë çdo mësues feje që të përcjellë në mënyrë sa më të mirë dhe efektive vlerat e besimit, moralit dhe të kulturës në shoqëri.
Disa nga çështjet që trajtuan ligjëruesit ishin:
1. Socializimi i mësuesve të fesë me komunitetin vendas, me qëllim qëndrimin pranë tyre me këshillat dhe orientimet e tij.
2. Përshtatja e ligjërimit fetar me problematikat e kohës dhe të aktualitetit.
3. Rrezatimi i një edukate dhe kulture të lartë që të ndikojë pozitivisht në komunitetin vendas etj…
Më pas, pjesëmarrësit zhvilluan diskutime të shumta dhe vlerësuan se zbatimi i orientimeve të seminarit do të kishte një impakt pozitiv në fushën e veprimtarisë së tyre. Në fund të seminarit pjesëmarrësve iu dhurua literaturë nga botimet më të fundit të AIITC.