Fjalori arabisht-shqip, i cili përmban mbi 70 mijë fjalë dhe shprehje në arabisht, është një nga librat e parë të këtij lloji në tregun e botimeve shqipe. Autori i tij është Sulejman Tomçini, një diplomat i njohur karriere me eksperiencë të gjatë pune në vendet arabe (Algjeri, Egjipt, Arabi Saudite) dhe në sektorin e gjuhës arabe pranë ATSH dhe Televizionit Shqiptar. Ai i ka nisur studimet e larta për gjuhën arabe në vitet gjashtëdhjetë në Bashkimin Sovjetik, por për arsye politike i përfundoi këto studime në kryeqytetin e Irakut, Bagdad.

Për përgatitjen e fjalorit janë një seri fjalorësh, si Fjalorin Arabisht-Rusisht të prof. H.K.Baranov, Fjalorin Arabisht-Arabisht te Luis Maaruf al-Jasui me titull “Al Munxhid Fi Al Lugati Ue Al Edebi Ue Al Ulumi”, ribotuar në Bejrut në janar 1962, Fjalorin “Al Munxhid Al Medresij”, botuar nga Ministria e Arsimit e Republikës së Sirisë në vitin 1985, me autor Muhamed Khajr Abu Harb, Fjalorin Arabisht-Anglisht të Dr.Ruhi Baalabakut me titull “Al Maurid”, botuar në janar 2001, Fjalorin Rusisht-Shqip, botuar në Moskë ne vitin 1954, Fjalorin Anglisht-Shqip të Ramazan Hysës, botuar në Tiranë në vitin 2000, Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në vitin 1980, si dhe një sërë fjalorësh të tjerë.

Për renditjen e materialit është marrë për bazë rrënja e fjalës në gjuhën arabe dhe pastaj derivatet e saj, pasi një renditje e tillë është më e lehtë dhe më ndihmëdhënëse për ata që mësojnë gjuhën arabe. Hartuesit e fjalorëve arabë marrin për nisje si rrënjë foljen e vetës së tretë të kohës së shkuar, që luan edhe rolin e infinitivit në gjuhët e tjera, përfshirë shqipen. Në këto kushte është menduar që foljes së vetës së tretë të kohës së shkuar në gjuhën arabe t’i përgjigjet veta e tretë e kohës së tashme në gjuhën shqipe.

Ndërkohë pranë çdo foljeje rrënjë të gjuhës arabe është vendosur midis kllapave zanorja që merr kjo folje në vetën e tretë të kohës së tashme pas rrokjes së parë: psh. كَتَبَ (veta e tretë e kohës së shkuar) bëhet në vetën e tretë të kohës së tashme يَكْتُبُ ose جَلَسَ bëhet يَجْلِسُ . Te shkronja “و” , meqë zgjedhimi i foljeve që fillojnë me këtë shkronje paraqet vështirësi, midis kllapave është dhënë e plotë forma e foljes në vetën e tretë të kohës së tashme.

Vendosja midis kllapave e zanores që merr folja në vetën e tretë të kohës së tashme i ndihmon më mirë përdoruesit e fjalorit dhe sidomos ata që mësojnë arabishten. Po ashtu pranë çdo folje janë vënë edhe emrat foljorë, të cilët në gjuhën arabe quhen “masdar” (burim).
Pranë shumicës së emrave është dhënë edhe shumësi i tyre. Ndërkohë, përdoruesi i fjalorit do të gjejë në të shumë shembuj të përdorimit të fjalëve të ndryshme, shprehje e deri edhe fjalë të urta, por që janë dhënë në shqip në kohën e shkuar, siç dhe janë në gjuhën arabe.

Për ta bërë fjalorin më praktik për studiuesit e gjuhës arabe, që është gjuha e Kuranit të Shenjtë, aty janë vënë edhe emrat e bukur të Allahut të Madhërishëm, emrat e sureve kuranore e terminologji tjetër fetare.
Së fundi, duhet theksuar se përdoruesit e këtij fjalori duhet të kenë njohuritë fillestare të gramatikës dhe drejtshkrimit të gjuhës arabe, ndryshe do ta kenë të vështirë shfrytëzimin dhe përfitimin sa e si duhet prej tij.