Prej shtatëmbëdhjetë vjetësh, AIITC boton revistën kulturore shkencore “Univers” në të cilën janë angazhuar me shkrimet e tyre personalitete të shkencës, kulturës dhe të artit.
Qëllimi i kësaj reviste është të publikojë trashëgiminë kulturore të lënë pas dore deri më sot, si dhe arritjet më të fundit të disiplinave të ndryshme shkencore.
Revista hedh dritë mbi shumë pikëpyetje, të cilat nuk janë sqaruar plotësisht, siç është p.sh. prejardhja e popullit dhe gjuhës shqipe, por edhe mjaft çështje të tjera. Ajo përpiqet të nxjerrë në pah të vërtetën shkencore, pa asnje lloj mbulese dhe pa asnjë lloj ndikimi të brendshëm apo të jashtëm.

Revista “Univers” botohet dy herë në vit. Artikujt e paraqitur duhet të përmbajnë punime origjinale dhe të pabotuara më parë. Ata duhet të dërgohen në këtë adresë:
Redaksia “Univers”, Rr. Isuf Elezi Nr.10, VILAT SELITË, P.O.Box. 2905 – Tiranë, E-mail: revistaunivers@aiitc.net / contact@aiitc.net

Artikujt duhet të jenë të kompjuterizuar dhe të sillen në disketë. Ata duhet të jenë nga 8-12 faqe në gjuhën shqipe, bashkë me një përmbledhje në gjuhën angleze. Materialet shoqërohen me referencat përkatëse, të cilat duhet të përmbajnë emrin e autorit, titullin e plotë të burimit (të librit ose artikullit), vendin dhe vitin e botimit, si dhe faqen referuese.

E drejta e autorësisë për artikujt e botuar i takon Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, por autori është i lirë t’i përdorë materialet e tij edhe në botime të tjera, me kusht që referimet t’i bëhen revistës “Univers”, si vendi i parë i botimit.